Këshilli i Ministrave ka miratuar ditën e sotme disa shtesa dhe ndryshime në ligjin për “Karrierën ushtarake në Forcat e Armatosura”, përmes të cilave rritet mosha e qëndrimit të efektivëve ushtarakë në shërbimin aktiv. Ndryshimi kryesor është ndërmarrë në nenin 14 të ligjit për karrierën në forcat e armatosura, sipas të cilave, ushtarakët do të mund të qëndrojnë në secilën prej gradave nga 2 deri në 3 vjet më shumë. Ndryshimet bëhen për të mbajtur personelin për shkak të boshllëqeve të krijuara në Forcat e Armatosura për arritjen e kapaciteteve operacionale të kërkuara prej uljes së ndjeshme të rekrutimeve.
VENDIM:
P R O J E K T L I GJ
PËR
DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË LIGJIN NR.59/2014, “PËR KARRIERËN USHTARAKE NË FORCAT E ARMATOSURA TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të neneve 78, 81, pika 1, e 83, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë
V E N D O S I:
Në ligjin nr.59/2014, “Për karrierën ushtarake në Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, bëhen këto ndryshime dhe shtesa:
Neni 1
Në nenin 14 bëhen ndryshimet dhe shtesat e mëposhtme:
Shkronjat “a” deri në “ë” dhe “g” deri në “j”, të pikës 1, ndryshohen, si më poshtë vijon:
“a) Ushtar I Detar I 31 vjeç; (ishte 28 vjecc)
b) Ushtar II Detar II 32 vjeç; (ishte 29 vjecc)
c) Ushtar III Detar III 33 vjeç; (ishte 30 vjecc)
ç) Ushtar IV Detar IV 36 vjeç; (ishte 33 vjecc)
d) Nëntetar Nëntetar 40 vjeç; (ishte 37 vjecc)
dh) Tetar Tetar 48 vjeç; (ishte 45 vjecc)
e) Rreshter Rreshter 55 vjeç; (ishte 54 vjecc)
ë) Kapter Kapter 56 vjeç; (ishte 56 vjecc)
…
g) Nëntoger Nënlejtënant 36 vjeç; (ishte 33 vjecc)
gj) Toger Lejtënant 41 vjeç; (ishte 38 vjecc)
h) Kapiten Kapitenlejtënant 48 vjeç; (ishte 45 vjecc)
i) Major Kapiten i rangut të tretë 57 vjeç; (ishte 55 vjecc)
j) Nënkolonel Kapiten i rangut të dytë 58 vjeç.”. (ishte 57 vjecc)
Pika 5 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“5. Shtetasit, në momentin e titullimit oficer aktiv dhe ushtar/detar aktiv, nuk duhet të kenë mbushur moshën 30 vjeç (ishte 27 vjecc). Përjashtim bëjnë vetëm shtetasit që do të titullohen oficerë dhe ushtarë/detarë aktivë, të cilët do të jenë personel mjekësor i Orkestrës Frymore dhe Orkestrës Simfonike të Forcave të Armatosura, të cilët, në momentin e titullimit, nuk duhet të kenë mbushur moshën 32 vjeç.”.
Neni 2
Pas pikës 6, të nenit 17, shtohet pika 7, me këtë përmbajtje:
“7. Ushtaraku me gradë madhore, i cili emërohet në detyrën e shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, merr gradën e njësuar sipas funksionit, të përcaktuar në tabelën e organizimit e të pajisjeve në Forcat e Armatosura.”.
Neni 3
Pas nenit 18 shtohet neni 18/1, me këtë përmbajtje:
“Neni 18/1
Gradimi i parakohshëm i ushtarakëve për gradën e radhës mund të bëhet vetëm një herë gjatë karrierës ushtarake, jo më parë se një vit nga plotësimi i afatit kohor të qëndrimit në gradë.
Përjashtohen nga përcaktimi i këtij neni ushtarakët aktivë nënoficerë me gradën “kapter”, oficerët aktivë me gradën “kolonel” dhe ushtarakët me gradë madhore.
Kriteret dhe mënyra e vlerësimit të ushtarakëve, sipas këtij neni, përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave, me propozimin e ministrit të Mbrojtjes, në përputhje me nevojat organike të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë.”.
Neni 4
Në nenin 22 bëhen ndryshimet dhe shtesat e mëposhtme:
Në pikën 2 bëhen këto ndryshime:
a) Shkronja “b” ndryshohet, si më poshtë vijon:
“b) Komisioni i lartë, i cili vlerëson oficerët për marrjen e gradave “major/kapiten i rangut të tretë”, “nënkolonel/kapiten i rangut të dytë” dhe “kolonel/kapiten i rangut të parë” dhe nënoficerët për marrjen e gradave “kapter dhe kryekapter”, si dhe personelin oficer për kualifikim nga grada “kapiten” deri në gradën “nënkolonel” dhe personelin nënoficer me gradën “rreshter” dhe “kapter”, të cilët përmbushin kriteret e përcaktuara në këtë ligj.”.
b) Shkronja “c” ndryshohet, si më poshtë vijon:
“c) Komisioni i zakonshëm vlerëson oficerët për marrjen e gradave “toger/lejtënant” dhe “kapiten/kapitenlejtënant”, si dhe personelin nënoficer “tetar” dhe “rreshter”, si dhe personelin nënoficer për kualifikim nga grada “nëntoger/nënlejtënant” deri në gradën “toger/lejtënant” dhe personelin nënoficer me gradën “nëntetar” deri në gradën “tetar”, të cilët përmbushin kriteret e përcaktuara në këtë ligj. Komisioni i zakonshëm ngrihet përkatësisht në komandat e forcave, Akademinë e Forcave të Armatosura, në Komandën Mbështetëse dhe në Shtabin e Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, për repartet e varësisë së drejtpërdrejtë dhe ato të Ministrisë së Mbrojtjes.”.
c) Shkronja “ç” shfuqizohet.
Në pikën 3 bëhen këto shtesa dhe ndryshime:
a) Në fjalinë hyrëse të shkronjës “c”, pas fjalëve “… për oficerët …” shtohen “… dhe nënoficerët …”;
b) Pas nënndarjes “ii” shtohen paragrafët, me këtë përmbajtje:
“Në rast mungese organike të oficerëve me gradën madhore “gjeneral brigade/kundëradmiral”, ata zëvendësohen me oficerë me gradën “kolonel/kapiten i rangut të parë” dhe në rast mungese organike të oficerëve me gradën “kolonel/kapiten i rangut të parë”, ata zëvendësohen me oficerë me gradën “nënkolonel/kapiten i rangut të dytë.
Komisioni i zakonshëm ngrihet me urdhër të ministrit të Mbrojtjes për të vlerësuar dhe për të propozuar për gradim e kualifikim oficerët me gradën “nëntoger/nënlejtënant, “toger/lejtënant” dhe nënoficerët me gradën “nëntetar”, “tetar” dhe “rreshter”, të cilët përmbushin kriteret e përcaktuara në këtë ligj.”.
c) Shkronja “ç” shfuqizohet.
Fjalët “… dhe “ç”, …, të shkronjës “b”, të pikës 4, shfuqizohen.
Pika 5 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“5. Komisionet e karrierës, me përjashtim të komisionit të veçantë, i përfundojnë procedurat e punës së tyre brenda:
a) muajit qershor të çdo viti nga komisionet përgjegjëse për vlerësimin e ushtarakëve për kualifikimet që shërbejnë për marrjen e gradës së radhës;
b) muajit tetor të çdo viti nga komisionet përgjegjëse për vlerësimin e përparimit në gradë të ushtarakëve.”.
Neni 5
Në nenin 31 bëhen shtesat e mëposhtme:
Pas shkronjës “b”, të pikës 1, shtohet shkronja “c”, me këtë përmbajtje:
“c) Për nevoja të specialiteteve dhe plotësimin e funksioneve që ndikojnë në ruajtjen e operacionalitetit të Forcave të Armatosura, por jo më shumë se 3 (tre) vjet, me të drejtë rinovimi.”.
Pas pikës 2 shtohet pika 3, me këtë përmbajtje:
“3. Procedurat, mënyra dhe rregullat për zbatimin e parashikimeve në shkronjat “a”, “b” dhe “c”, të pikës 1, të këtij neni, përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave, me propozimin e ministrit të Mbrojtjes.”.
Neni 6
Në pikën 1, të nenit 37, togfjalëshi “… dhe të nenit 23 …” zëvendësohet me “… të pikës 3, të nenit 18/1, të pikës 1/1, të nenit 21, të nenit 23 dhe të pikës 3, të nenit 31.”.
Neni 7
Dispozitë kalimtare
Për shefin e Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, aktualisht në detyrë, me marrjen e gradës, sipas përcaktimeve të këtij ligji, koha e qëndrimit në detyrë do të llogaritet nga momenti i emërimit fillestar në këtë pozicion.
Neni 8
Hyrja në fuqi
Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E T A R I
LINDITA NIKOLLA