Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se, integrimi evropian shkon përmes integrimit rajonal. Në një konferencë të përbashkët për shtyp me Komisionerit e BE për Zgjerimin dhe Fqinjësinë e Mirë, Oliver Varhelyi, Rama u shpreh se, “ana tjetër e planit të ri të rritjes është financimi. Më shumë financim për projekte dhe për buxhetet tona”. “Kështu që jam shumë i kënaqur që arritëm në këtë pikë. Nuk ka qenë e lehtë, por është vërtetë mjaft shpërblyese.Të gjitha ato përpjekje që ne kemi bërë përgjatë 10 vjetëve për të ecur drejt integrimit rajonal, tani përmes planit të ri të rritjes tanimë duhet të ndodhin pa por, apo por, pa arsye politike për të mos bërë marrëveshje e kështu me radhë”, tha Rama.

“Kur flisnim herë pas here sa e rëndësishme ishte të ecej më shpejt përmes rrugëtimit rajonal dhe për të arritur më pranë njëri-tjetrit me marrëveshjet ndërkufitare për lëvizjen e kapitalit, të shërbimeve, të mallrave dhe njerëzve tanimë është e qartë se po të kishim bërë më shumë më përpara do të kishim qenë edhe më pranë tani”, u shpreh Rama.

Pra, shtoi Rama, “integrimi evropian shkon përmes integrimit rajonal. Kjo nuk ka aspak diskutim. Nuk është diçka e debatueshme dhe plani i ri i rritjes e vulos një gjë të tillë. kështu që të gjitha gjepurat që kemi dëgjuar për “Ballkanin e Hapur”, për këtë gjë apo atë tjetrën janë tashmë qartësisht të ekspozuara si gjepura sepse kjo është rruga”.

“Tashmë me planin e ri të rritjes dhe sot patëm dhe një deklaratë të përbashkët që çdo vend, të 6-ta vendet kanë rënë dakord që kjo është diçka që duhet ta bëjmë dhe nuk ka rëndësi se çfarë problemesh politike kemi me njëri-tjetrin. Nuk kanë rëndësi, ne duhet ta bëjmë këtë gjë. Dhe BE është i gatshëm të na mbështesë, por gjithsecili duhet ta harrojë se mund të marrë më shumë nga tregu i përbashkët evropian në qoftë se nuk kontribuojmë plotësisht, 100% në tregun rajonal”, theksoi Rama.

“Pra e gjitha lidhet me sjelljen e çdo fqinji me fqinjin tjetër. Ja pse çështjet politike duhet të diskutohen mbi baza dypalëshe, duhet të zgjidhen mbi baza dypalëshe, por nuk janë një arsye dhe nuk do të pranohen si e tillë arsye nga BE për të mos realizuar gjithçka që ka të bëjë me lëvizjen e lirë të njerëzve, të mallrave, shërbimeve dhe kapitaleve”, tha Rama.