Kryeministri Edi Rama e ka nisur ditën me pamjet nga hyrja në qytetin e Koplikut në Malësinë e Madhe, ku është vendosur vepra “Wolves Coming”, e artistit kinez me famë botërore Liu Rouwang. Duke vlerësuar veprën artistike, kryeministri Rama shton se ajo simbolizon reagimin e natyrës ndaj agresionit njerëzor dhe thirrjen “ulëritëse” për ta mbrojtur diversitetin.
“Me këtë vepër të bukur publike në hyrje të Koplikut, Malësi e Madhe, “Wolves Coming”, vepër e artistit kinez me famë botërore Liu Rouwang, e cila simbolizon reagimin e natyrës ndaj agresionit njerëzor dhe thirrjen “ulëritëse” për ta mbrojtur diversitetin, ju uroj një ditë të mbarë”, shkruan Rama.
“Wolves Coming”, është një nga veprat e artit që janë vendosur në hapësira publike anembanë vendit.
Nisma “Art në Hapësira Publike” ka si qëllim përmirësimin e imazhit të infrastrukturës rrugore dhe ambienteve publike , që do të implementohen në mbikalime, rrethrrotullime e nyje infrastrukturore. Kjo nismë e prezantuar në 2022 ka përfituar një fond prej 200 milionë lekësh, të cilin qeveria shqiptare ia besoi Ministrisë së Kulturës, sot Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit. Synimi është që kjo nismë të kthehet në një traditë.