Nga Vitjon Nina/
Kryeministri shqiptar, Edi Rama, ka thënë se çdo sulm ndaj Kosovës është edhe një sulm ndaj Shqipërisë, por sërish i ka qëndruar faktit se për të, Prishtina duhet të dalë nga loja e Serbisë në dialog. Këtë, kreu i ekzekutivit shqiptar e ka ravijëzuar gjatë një interviste për mediumin kosovar ATV, teksa ka folur edhe për vizitën e Sekretarit amerikan të Shtetit, Antony Blinken, në Tiranë më 15 shkurt. Fillimisht, Rama ka përcaktuar se thelbi i gabimit strategjik që bëjnë të gjithë ata që mendojnë se subjektiviteti ndërkombëtar i Kosovës dhe shtetnjohja përfundimtare e Kosovës do të vijnë përmes një procesi ku Kosova do bëjë garë me Serbinë se kush e ka më shumë fajin.
“Jo, në këndvështrimin tim dhe unë këtë e kam thënë gjithmonë, qasja jonë strategjike e shqiptarëve dhe në këtë rast flasim për Kosovën, por mendoj që kështu është edhe për Shqipërinë dhe kështu duhet të jetë për të gjithë shqiptarët, nuk është që të fajësojnë të tjerët, apo të hyjmë në lojën e fajësimit të njëri-tjetrit në sensin ‘jo shiko, dakord, ne jemi mbase këtë, po shiko ata’”, përcaktoi ai.
Më tej, ai ka përforcuar edhe faktin se Shqipëria dhe Kosova nuk kanë punë me çfarë bën Serbia, pasi gjithçka që dy shtetet bëjnë, e bëjnë për veten dhe jo për fqinjët. Kosova, sipas tij, e ka një detyrim ndaj vetes që të shkëlqejë në procesin e dialogut.
“Kosova, për veten e saj duhet të tregojë ndërkombëtarisht një qenie e cila është plotësisht e vetëdijshme për barrën e flamurit që ka, për barrën e Kushtetutës që ka, për barrën e përgjegjësisë që ka, si një aktor i ri, si një anëtar i ri i bashkësisë ndërkombëtare. Nuk është Serbia etaloni dhe nuk është Serbia standardi dhe nuk është Serbia pika e referimit”, përmblodhi ai.
Nuk është ndalur veç me kaq kryeministri Rama, por ka thënë gjithashtu se nëse ai do të ishte në pozitë dhe kushtet ku do të kishte përpara një marrëveshje, ai do ta firmoste atë në mënyrë njëanshme dhe do të kishte përmbushur kështu detyrimet personale në një çështje si kjo. Lidhur me sulmet e vazhdueshme ndaj Kosovës prej Serbisë, përfshi ato diplomatike, apo edhe literalisht ato ushtarake duke marrë parasysh sulmin në Banjskë, Rama tha se ato janë edhe sulme ndaj Shqipërisë, jo veç ndaj Kosovës.
Për të, Shqipëria nuk është thjesht një entitet gjeografik apo një entitet shtetëror që ka lidhje speciale me Kosovën. “Kosova nuk është vetëm, jo thjesht se ka Shqipërinë, po sepse ka aleat strategjik, që i dimë fare mirë kush janë, pa të cilin Kosova s’do të ekzistonte sot si shtet dhe me të cilët Kosova mund t’i arrijë të gjitha ato që ne të gjithë duam që Kosova t’i arrijë”, vijoi.
Ndër të tjera, përmendi edhe se Kosova nuk duhet të krahasohet fare me Serbinë, por ajo duhet të mendojë edhe për gjeneratën tjetër. Duhet nxituar po ashtu sipas Ramës që të bëhet çfarë është e mundur për të ardhmen, që Kosova të jetë një shtet i njohur nga të tërë ndërkombëtarisht dhe se në kushtet e sotme, duke bërë “të keqin”, nuk fitohet asgjë.
Duke bërë “të mirin” ndërkaq, diçka edhe mund të korret.
Banjska po ashtu si rast, ka qenë një kthesë e rrezikshme jo vetëm për Kosovën, por për gjithë Ballkanin Perëndimor dhe për komunitetin që gjashtë vendet po përpiqen të krijojnë.
“Ka qenë një moment vërtet shumë dramatik në bashkëjetesën e komunitetit të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe për të sjellin rast ne jemi shprehur në mënyrë shumë të qartë”, tha Rama për rastin e Banjskës.
Zgjidhjen gjithsesi, e gjen sërish te dialogu.
Për të, është e rëndësishme që të mos e humbasë fokusin askush, pasi rajoni gjendet më mirë se asnjëherë më parë. Mirëpo, gjërat mund të kthehen përmbys dhe kjo duhet evituar, duke i adresuar përmes dialogut, me konstruktivitet dhe me sensin e të ardhmes. Vizitën e sekretarit Blinken në Tiranë ndërkohë, kryeministri e sheh si me rëndësi të veçantë, ku edhe pse Shqipëria nuk është vend me fuqi të madhe, sërish për SHBA-të është shumë e rëndësishme.
Kjo, për shkak se në këtë kohë kaq të trazuar dhe me kaq shumë ngarkesë për sekretarin e shtetit dhe angazhimin e SHBA-ve në botë, ai (Blinken) e sheh të nevojshme dhe e gjen kohën për të ndaluar në Shqipëri dhe kjo patjetër që nuk është pak. Është një arsye për ta konsideruar si një shprehje kuptimplotë të një marrëdhënie të rëndësishme të SHBA-ve”, përmbylli Rama. Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.
/Albanianpost.com