Matteo Darmian është rikthyer të flasë për derbin e Italisë. Interi fitoi 1-0 ndaj Juventusit dhe e dërgoi në 4 pikë avantazhin në renditje me bardhezinjtë e Allegrit.
“Pavarësisht fushës dhe rezultatit të ndeshjes, e diela ishte një reklamë shumë e bukur për futbollin italian. Ne futbollistët dhamë një shembull të mirë për ata që ëndërrojnë të luajnë në sfida dhe nivele të tilla në të ardhmen.
Njësoj ka ndodhur edhe me mua. Gjithmonë kam synuar të mbërrij kaq lart dhe të argëtohem, duke kultivuar ëndrrën e fëmijërisë që e bëra realitet“. 21 ndeshje në Serie A numëron mbrojtësi 34-vjeçar gjatë këtij sezoni me skuadrën e Simone Inzaghit. Darmian është një “xhol” në mbrojtje, pasi i bën të gjithë rolet e repartit të prapavijës.
Dueli i radhës për zikaltrit është sërish i fortë: përballë Romës së De Rossit në “Olimpico”. Verdhekuqtë vijnë nga tri fitore radhazi. Roma-Inter do të luhet të shtunën (18:00) dhe do të transmetohet live në SuperSport 1.