Reperi Rigels Rajku i cili njihet me emrin artistik Noizy ka rrëfyer sfidat dhe vështirësitë që është përballur në jetë. Në një intervistë për revistën italiane “Esse Magazine” me titull “Në Shqipëri me Noizy-n”, reperi ka treguar edhe për periudhën në Angli, ku thotë se dikur ka shitur drogë dhe është përplasur fizikisht për të fituar para.

Ai shprehet se çdo njeri mund të fitojë para dhe të arrijë majat në rrugë të tjera, por duhet të jetë një shembull. “Nuk do gënjej, në Angli kam shitur drogë, kam bërë sherre për para… dhe këto probleme bënë që të më largonin nga Angli. Por, kam hequr dorë nga jeta e çmendur.

Tani çdo gjë e përqëndroj te zgjuarsia dhe si të bëj para. Isha një “street fighter”, shisja drogë, diçka për të cilën nuk jam krenar. Por, tani nuk e bëj më këtë gjë. Nuk do i thoja askujt ta bënte këtë. Ka gjithmonë mënyra të tjera për të bërë para dhe sukses”, rrëfen Noizy.