Mediat e huaja i kanë bërë jehonë samitit për Ukrainën dhe vizitës së Volodymyr Zelenskyt në Tiranë. Kjo është vizita e tij e parë në Shqipëri.
“Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskiy mbërriti në kryeqytetin shqiptar të Tiranës, ku do të marrë pjesë në një samit me vendet e Ballkanit Perëndimor dhe do të zhvillojë takime dypalëshe me liderët e tyre, tha zyra e tij.
Kievi po kërkon mbështetje ndërkombëtare për një plan paqeje të Zelenskiy, ndërsa pushtimi i Rusisë zvarritet në vitin e tretë dhe trupat ukrainase luftojnë për të mbajtur terren kundër sulmeve ruse.”, shkruan Reuters në artikullin e tij.
Edhe AP News i ka kushtuar një shkrim ku thuhet se Zelensky mbërriti në Shqipëri për të siguruar më shumë mbështetje për të mposhtur armikun.
“Presidenti i Ukrainës do të bashkëorganizojë një samit me qeverinë shqiptare të mërkurën, që synon të inkurajojë mbështetjen e mëtejshme për Kievin nga vendet e Evropës Juglindore, ndërsa shenjat e lodhjes rriten dy vjet pas pushtimit të plotë të Rusisë”, shkruhet në artikul.
Gjithashtu, presitgjiozja britanike Daily Mail i ka kushtuar një artikull të gjatë vizitës së parë të Zelenskyt në vendin tonë që nga pushtimi i Rusisë.
“Kjo është hera e parë që Zelensky bën një vizitë në kombin ballkanik që kur Rusia pushtoi Ukrainën më shumë se dy vjet më parë. Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama vizitoi Kievin, së bashku me kryeministrin e atëhershëm të Malit të Zi, Dritan Abazoviq, në qershor 2022.”, theksohet në shkrim.
The Guardian ka shkruar po ashtu për vizitën e Presidentit ukrainas në Shqipëri , dhe për takimet që ai do të zhvillojë.
“Volodymyr Zelenskiy ka mbërritur në kryeqytetin shqiptar të Tiranës, ku do të marrë pjesë në një samit me vendet e Ballkanit Perëndimor dhe do të zhvillojë takime dypalëshe me liderët e tyre.
Kievi po kërkon mbështetje ndërkombëtare për një plan paqeje të Zelenskiy, ndërsa pushtimi i Rusisë po shkon në vitin e tretë dhe trupat ukrainase përpiqen të ruajnë territoret kundër sulmeve ruse”.
Kryeministri Edi Rama dhe Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky kanë nënshkruar pak minuta më parë traktatin e miqësisë dhe të bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Ukrainës. Presidenti ukrainas Zelensky ndodhet në Tiranë në kuadër të Samitit të organizuar për Ukrainën. Ndërkohë që në orën 13:30 do të mbahet një konferencë për mediat nga Rama dhe Zelensky, e cila do të shënojë dhe përfundimin e vizitës së tij në vendin tonë.