Në samitin që do të zhvillohet në 28 shkurt në Tiranë për Ukrainën, presidenti i Turqisë, Rexhep Taip Erdogan do të mbajë fjalimin e tij ‘virtualisht’ në një lidhje direkte.
Lajmin e ka bërë të ditur kreu i qeverisë Edi Rama gjatë konferencës së përbashkët në Ankara, i cili tha se presidenti turk e kishte të pamundur të ishte i pranishëm fizikisht në samit, ndërsa theksoi se kishte biseduar me të edhe për zhvillimet në rajon të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.
“Si gjithmonë e kam gjetur presidentin të interesuar me gjithë zemër për ecurinë e rajonit tonë, ecurinë e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë dhe për dëshirën e tij që progresi e paqja në rajon të jenë çdo ditë e më të forta. Kemi ndarë edhe opinionet për konfliktin në Ukrainë, e kam informuar që në ditët e ardhshme në Tiranë së bashku me Zelenskyn do të zhvillojmë një samit ku edhe Turqia është e ftuar dhe jam mirënjohës që presidenti ka pranuar të adresojë samitin përmes një lidhje direkte nga zyra e tij duke qenë se e ka të pamundur të jetë fizikisht.”- u shpreh Rama.