Serbët po preferojnë gjithmonë e më shumë Shqipërinë për të kaluar pushimet. Media serbe B92 shkruan se për këtë sezon prenotimet për në det kanë nisur që në dhjetor. Agjencitë turistike që merren ekskluzivisht me turizmin shqiptar theksojnë se prej vitesh ka pasur interes për Shqipërinë por këtë vit shumë qytetarët kanë prenotuar që në muajin dhjetor

Vendet më të kërkuara dhe më të vizituara janë Saranda, Vlora, Ksamili dhe Durrësi, ndërsa serbët më shumë pëlqejnë bregun e Jonit që është pranë Greqisë, veçanërisht pranë Korfuzit.

Interesi për Shqipërinë shpjegohet me çmimet e lira pasi sipas mediave serbe mund të gjesh akomodim për 23 euro nata, përfshi edhe mëngjesin.

Ndërkaq, një nga vendet më popullore për të pushuar, që quhet edhe “Maldivet e Europës”, është Ksamili, kur akomodimin “all inclusive” mund ta gjesh për 58 euro.

Sipas medias nga Beogradi, turistët serbë pëlqejnë shumë edhe plazhet me rërë.
Sezoni nis që në prill, kur në oferta mund të gjesh prenotim për Pashkët dhe për 1 Majin, dhe qershori e korriku janë muaj shumë të frekuentuar, dhe jo rrallë ka trafik të rënduar në destinacionet kryesore turistike.

Serbët kryesisht shkojnë me makinat e tyre për pushime në Shqipëri, por ekziston oferta edhe për të shkuar me autobusë.