Makina tip BMW në të cilën u qëllua për vdekje reperi Tupac ka dalë në shitje me vlerën 1.6 milionë euro dhe ende mund të shihen goditjet e plumbave. Përveç ngjyrës së saj të dëmtuar, makina famëkeqe është në gjendje çuditërisht të mirë me një kilometrazh prej 193,000 kilometrash.
Muzikanti amerikan Tupac Shakur, i njohur edhe me emrat e tij skenik 2Pac dhe Makaveli, është ndër artistët më të shitur në botë dhe konsiderohet gjerësisht si një nga reperët më me ndikim të të gjitha kohërave. Jeta e tij mori një fund tragjik në vitin 1996 kur ai u qëllua katër herë nga një sulmues i paidentifikuar në një makinë, pas një ndeshje boksi në MGM Grand në strip të Las Vegas. Tupac vdiq gjashtë ditë pas të shtënave, në moshën 25-vjeçare.
Kjo është hera e parë që kjo makinë del në shitje ose ekspozohet që nga vdekja e tij në vitin 1996. Ajo është restauruar plotësisht në gjendjen në të cilën ishte para vdekjes së tij dhe sapo ka marrë një shtresë të re boje. Ka një gropë të vogël ku besohet se ishte një nga vrimat e plumbave, por është e vështirë të dallohet. Rrotat e makinës janë të njëjta me ato që ka pasur në momentin e të shtënave, të ndodhura rreth orës 23:15 të datës 7 shtator 1996. ‘Celebrity Cars’ e ka automjetin të ekspozuar në showroom dhe është në dispozicion për shitje.