Donald Trump, përveçse ish-president i SHBA-së, është edhe një nga njerëzit më të pasur në botë. Pra, është krejtësisht normale që Trump në një moment të jetës së tij ishte pronar i një supermakine të shtrenjtë si Lamborghini Diablo.
Manjati amerikan në vitet 1990 vendosi të pasurojë koleksionin e tij të makinave duke futur në garazhin e tij një Diablo VT Roadster, të cilin e porositi direkt nga Italia. Si ky model i veçantë i vitit 1997 u prodhuan vetëm 132 copë dhe ky Lamborghini u dallua kryesisht për ngjyrën e tij blu (Blu Le Mans).
Makina është e pajisur me një motor 5.7 litërsh V12, me 485 kuaj fuqi. “Diablo” kishte gjithashtu logon e Donald Trump të stampuar në një pllakë në pjesën e brendshme të derës. Makina mbeti në posedim të ish-presidentit amerikan deri në vitin 2002 kur ai vendosi ta shiste, ndërsa deri më sot ka ndryshuar katër pronarë.
Kjo Lamborghini Diablo VT Roadster e veçantë u hodh në ankand së fundmi nga shtëpia e ankandeve Barrett-Jackson dhe çmimi i saj tejkaloi edhe parashikimet më optimiste të kompanisë. Diablo blu u shit për 1.016 milionë euro që është një rekord i ri botëror i shitjeve për makinat e prodhuara nga Lamborghini.