Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani pritet të udhëtojë këtë të diel nga India drejt Gjenevës, ku në datat 26 – 27 shkurt do të mbahet takimi i Nivelit të Lartë i Sesionit të 55-të të Këshillit të të Drejtave të Njeriut (KDNJ).

Vendi ynë merr pjesë në takim si vend anëtar i KDNJ-së me një mandat 3 vjeçar 2024-2026. Është hera e dytë që, brenda një periudhe më pak se 10-vjeçare, Shqipëria bëhet pjesë e këtij organizmi të rëndësishëm të OKB-së që trajton çështje të mbrojtjes dhe respektimit të të drejtave të njeriut.

Gjatë qëndrimit në Gjenevë, Ministri Hasani do të pritet nga Komisioneri i Lartë i OKB-së i të Drejtave të Njeriut, ndërsa do të takohet me stafin shqiptar të punësuar pranë OKB në Gjenevë si me ekipin e Misionit të Republikës së Shqipërisë.

Ministri Hasani do të japë mesazhin e tij në emër të Shqipërisë në takimin e posaçëm të Grupit të Miqve për Llogaridhënien për Ukrainën.