Shtëpia e re e Kolegjit të Europës do të hapë dyert në Tiranë dhe do të garantojë funksionimin e plotë të Kolegjit, duke nisur që prej këtij viti akademik deri në përfundimin e kampusit të ri.
Marrëveshja u nënshkrua sot nga Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu, Rektori i Universitetit të Tiranës, Artan Hoxha dhe Rektorja e Kolegjit të Evropës, Federica Mogherini, në prani të kryeministrit Edi Rama dhe Komisionerit të BE për Zgjerimin dhe Fqinjësinë, Oliver Varhelyi, në kuadër të Samitit Rajonal mbi Planin e Rritjes dhe Konvergjencës.
Rektorja e Kolegjit të Evropës, Federica Mogherini u shpreh se ka patur një interes shumë të lartë nga ana e të rinjve për të zhvilluar studimet në këtë Kolegj. “Viti akademik do të nisë në shtator me 31 studentë, me një Program të nivelit master për transformimin dhe integrimin europian me fokus të veçantë në Bashkimin Europian dhe Ballkanin perëndimor. Çelëm procesin e pranimit në tetor dhe sot mund të raportoj se kemi marrë 241 aplikime, për 31 vende, nga 41 kombësi, nga i gjithë rajoni, nga vendet e BE-së dhe 15 të tjera”.
Ardhja e Kolegjit të Europës, na bën krenarë u shpreh kryeministri Edi Rama.
“Për t’i shtuar asaj se çfarë tha komisioneri lidhur me numrin e madh të të rinjve nga vendet anëtare të Bashkimit Europian që duan të vijnë në Tiranë, ndoshta kjo tregon po kështu se të vish në Shqipëri nga BE-ja mund të jetë shumë entuziazmuese sesa të shkosh nga BE-ja në BE. Ndaj besoj se kemi këtë numër kaq të madh. Së fundi në radhë, por jo nga rëndësia dua të falënderoj delegacionin e BE-së këtu dhe komisionerin Varhelyi, i cili ka punuar gjatë gjithë kohës në 360 gradë me ne për t’u siguruar që në të gjitha frontet të bëhen gjëra sa më të prekshme e sa më të realizueshme në rajon dhe natyrisht edhe ardhja e Kolegjit të Europës na bën shumë të lumtur, na bën shumë krenarë, ndaj po bëjmë shumë përpjekjet për të pasur një ndërtese ikonë dhe për ta pasur një destinacion të mirëfilltë europian arsimimi, jo vetëm sa u takon programeve, por edhe sa i takon aspektit pamor, atij hapësinor e cilësisë së jetës për studentët nga auditorët deri te fjetoret edhe pse në Tiranë të rinjtë flenë gjithmonë e më pak sepse jeta e argëtimit është gjithmonë e më tërheqëse sidomos pas mesnatës”.