Nga Eduard Zaloshnja

Nga një sondazh që zhvillova javën e shkuar për shqiptarja.com (lexo këtu: https://shqiptarja.com/lajm/sondazh-43-e-shqiptareve-sduan-kryeminister-as-ramen-as-berishen-as-bashen-e-as-meten-vetem-cereku-shpresojne-tek-opozita-e-bashkuar ), rezultoi se plot 43% e të anketuarve duan që kryeministër të jetë dikush që s’e ka emrin as Edi Rama, as Sali Berisha, as Lulzim Basha, e as Ilir Meta. Më tej, 37% duan të jetë Rama kryeministër, ndërsa 20% duan kusurin.
Thënë ndryshe, vetëm 57% e zgjedhësve që banojnë këtu do deshin të qeveriseshin prej një nga katër politikanët kryesorë aktualë, dhe ndër ta, partizanët e Ramës janë pothuaj sa dyfishi i të tre të tjerëve së bashku.

Është tejet domethënës fakti që plot 43% e zgjedhësve me banim këtu nuk duan që kryeministër të jetë një 60 vjeçar që po kërkon mandatin e katërt qeverisës rradhaz; nuk duan që kryeministër të jetë një 80 vjeçar që ka qenë dikur president e kryeministër, e që tani po hetohet nga SPAK-u; nuk duan që kryeministër të jetë një 55 vjeçar që ka qenë dikur kryeministër e president, e që tani po hetohet nga SPAK-u; dhe nuk duan që kryeministër të jetë një 50 vjeçar që ka qenë dikur në disa poste të rëndësishme ministrore, e që tani udhëheq një fraksion të vogël të një partie dikur të madhe.

Kuptohet që disa përqind nga 43-përqindëshi i të zhgënjyerve do të kandisen të votojnë më 2025 për partitë e këtyre katër politikanëve, sepse nuk ka gjasa të dalë në skenë deri atëherë ndonjë tjetër që t’u mbushë syrin.
Historia e gjatë elektorale shqiptare ka treguar se forcat politike të shfaqura para zgjedhjeve kanë rezultuar thjesht flakë kashte. Kështu, flakë kashte rezultoi PDR-ja e Pollos më 2001; LZHK-ja e Zogut dhe e Shehit më 2005; Poli i Lirisë së Meksit e Shehit më 2009; Lëvizja Kuqezi e Spahiut dhe FRD-ja e Topit më 2013; LIBRA e Blushit dhe Sfida e Bojaxhiut më 2017; dhe së fundmi, Vetëvendosja më 2021.

Rishtazi në skenë ka dalë lëvizja politike “Shqipëria Bëhet” e Adriatik Lapajt, por deri tani të kujton Sfidën e Bojaxhiut. Gjithashtu, në skenë ka dalë edhe rrjeti i quajtur “#NextYou” i Agron Shehajt, që të kujton LIBRA-n e Blushit në fillimet e veta. Që të aktivizohet masivisht 43-përqindëshi i zhgënjyer, duhet të dalë në skenë një forcë e tillë politike, që do t’i mbushte plot e përplot sheshet reale e virtuale. Stanjacioni i katër politikanëve të sipërpërmendur do një tërmet të fortë shoqëror për t’u trazuar!