Në një kohë kur duket se presidenti Joe Biden dhe ish-presidenti Donald Trump do të përballen përsëri në kutitë e votimit në zgjedhjet e këtij viti, një sondazh i fundit mes tregon zoti Biden e ka zgjeruar epërsinë ndaj zotit Trump.
Sipas anketës të Universitetit Quinnipiac, rezultatet e së cilës u publikuan të mërkurën, presidenti demokrat Biden gëzon 50 për qind mbështetje, 6 për qind më shumë sesa republikani Trump me 44 për qind. Është një ndryshim i ndjeshëm nga sondazhi i mëparshëm i Universitetit Quinnipiac, më 20 dhjetor 2023, ku rezultatet për dy kandidatët ishin aq të afërta, saqë nuk mund të përcaktohej se kush do të fitonte nëse zgjedhjet do të mbaheshin në atë moment. Në atë sondazh presidenti Biden gëzonte 47 për qind mbështetje dhe ish-presidenti Trump 46 për qind. Në sondazhin e fundit, 96 për qind e demokratëve dhe 52 për qind e të pavarurve mbështesin Biden, ndërsa 91 për qind e republikanëve dhe 40 për qind e pavarurve mbështesin Trump. Ndërkohë, hendeku gjinor po zgjerohet. 58 për qind e grave të anketuara mbështesin zotin Biden dhe 36 për qind mbështesin Trump. Në dhjetor diferenca ishte më e ngushtë: 53 – 41 për qind. Mes burrave të anketuar, 53 për qind mbështesin zotin Trump dhe 42 për qind zotin Biden, një rezultat pothuajse i njëjtë me atë të dhjetorit: 51 – 41 për qind.
Ndërkohë sipas një ankete tjetër, rritja e optimizmit për ekonominë ka qenë modeste dhe nuk po përkthehet në një mbështetje më të madhe për presidentin Biden, megjithëse ai dhe ekipi i tij gjithnjë e më tepër po e vënë theksin tek përmirësimi i gjendjes ekonomike në vend. Sipas sondazhit të fundit të publikuar sot, nga agjencia e lajmeve Associated Press dhe Qendra NORC për Kërkimin e Çështjeve Publike, 35% e të rriturve në SHBA mendojnë se gjendja ekonomike e vendit është e mirë, në krahasim me 30% që mendonin kështu në fund të vitit të kaluar dhe 24% një vit më herët.65% e të anketuarve mendojnë se ekonomia është e dobët, megjithatë kjo shifër përbën një përmirësim nga një vit më parë, kur 76% mendonin kështu. Besimi i votuesve tek ekonomia mund të jetë një faktor kyç në zgjedhjet presidenciale të këtij viti. Të dhënat e fundit mbi ekonominë tregojnë se rritja u përshpejtua vitin e kaluar edhe pse inflacioni iu afrua më shumë objektivit prej 2% të vendosur nga Rezerva Federale, përkundër paralajmërimeve të një numri ekonomistësh dhe akademikëve se përpjekjet për të ulur inflacionin do të shkaktonin recesion. Presidenti Biden dhe këshilltarët e tij po përqendrohen gjithnjë e më shumë tek lajmet pozitive për ekonominë në një kohë kur konsumatorëve po u kthehet besimi.
Biden po e vendos gjithashtu theksin tek kontrasti mes tij dhe ish-presidentit Donald Trump. Mbështetësit e zotit Trump e kujtojnë mandatin e tij me krenari për mbarëvajtjen e ekonomisë, por mandati i tij u shoqërua me humbje vendesh pune për shkak të pandemisë së koronavirusit. Sinjalet për një ekonomi më të fortë nuk janë përkthyer ende në një mbështetje më të madhe për presidentin Biden. Sipas sondazhit të ri mbështetja për punën e tij është 38%, pothuajse i njëjti nivel i pothuajse dy viteve të fundit. Amerikanët vazhdojnë ta shikojnë ekonominë përmes lentes politike, çka do të thotë se rritja e mbështetjes për Biden në këtë drejtim do të jetë e kufizuar, edhe nëse ekonomia vazhdon të përmirësohet si vitin e kaluar