Analisti Martin Leka në një lidhje skype për emisionin ‘Sot Live në Shqipëri’ foli për rezultatet e sondazhit të Report Tv në bashkëpunim me Eduart Zaloshnja sa i takon besueshmërisë së qytetarëve tek institucionet e drejtësisë dhe pyetjes se kë do të votonin nëse do të mbaheshin zgjedhjet. Leka tha se SPAK i ka dhënë fund ‘mitit’ të pandëshkuesmërisë së politikanëve. Ndërsa duke iu referuar përgjigjieve që nxirrnin fituese PS-në me 57.1% të votave, Leka tha se kjo vjen si pasojë e situatës ku gjendet opozita dhe jo për meritë të punëve të bëra nga qeveria. Sipas tij, fajtori për gjendjen ku ndodhet opozita është vetëm Sali Berisha.

“Në këto 3 dekada e pak demokraci në Shqipëri, për fatin tonë të keq qytetarët nuk kanë votuar për idenë apo njeriun më të mirë por janë detyruar të votojnë për të keqen më të vogël. Ende nuk ka ikur kjo simptomë e politikës shqiptare ku ende jemi të detyruar të zgjedhim të keqen më të vogël pavarësisht gjithë gjërave që ka bërë qeveria, me opozitën aktuale, e ka të sigurtë mandatin e katërt. Kjo nuk është për meritë të saj por si pasojë e mungesës së opozitës. Këtë shërbim Edi Ramës ia ka bërë vetëm Sali Berisha. Ai është përgjegjësi real për gjendjen ku ndodhet opozita”- u shpreh analisti.

Ai shtoi se me strategjinë e kaosit në Kuvend, opozita është futur në një rutinë të përditshme që nuk po sjell asnjë ndryshim dhe nuk i tërheq qytetarët rreth kauzave të saj. “Është e pamundur që sot opozita është futur në rutinën e përditshme të zhurmave, bilbilave dhe kaosit. Strategjia është kthyer në rutinë dhe e ka humbur qëllimin pse u nis. Kjo vetëm e dëmton dhe nuk ndërton asgjë të re. Parlamenti sot është gjëja e parë për të mos u parë, zhurma, kaos, rrëmujë. Qytetari ka një reflektim të thellë rreth këtij parlamenti. Në këtë fazë ku është opozita, nuk mendoj se do thithë qytetarë në drejtimin e vetë. Përkundrazi opozita duke bërë të njëjtën gjë, duke e kthyer në rutinë diçka që nuk ka asnjë lloj efekti vetëm sa humbet vota”- tha Leka.

Ndërsa Flamur Nokën e cilësoi si një mjeran duke komentuar gjestin e turpshëm që bëri duke hedhur miell ndaj punonjësve të Gardës që thjesht po kryenin detyrën e tyre. “Imagjinoni një qytetar të shohë një deputet të foltores të hedhë mjell punonjësit e gardës që nuk kanë asnjë faj dhe duket si një mjeran para atyre punonjësve që vetëm sa po kryejnë detyrën. Imagjinoni sikur kujtdo t’u teket të denigrojë punonjësit e gardës në atë mënyrë”- theksoi analisti.