Zhvillohet sot në Tiranë samiti “Ukrainë – Europa Juglindore”. Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelenskyy, njëherësh bashkëorganizator i Samitit, zhvillon për herë të parë një vizitë në vendin tonë, ndërsa ditën e sotme do të ketë një takim kokë më kokë me kryeministrin Edi Rama në Kryeministri. Më pas të dy do t’i bashkohen samitit, që do të mbledhë bashkë shumë liderë.

Përditësim minutë pas minute:

09:03/ Rama pret Zelensky-n para Kryeministrisë

08:49/ “Rama, mik i pakompromis i Ukrainës”, Zelensky për vizitën në Tiranë: Në samit do të flasim për rrugën e përbashkët drejt qëllimit euroatlantik

Teksa ndodhet në Tiranë, ku pritet të takohet pas pak minutash me kryeministrin Edi Rama dhe më pas t’i bashkohet samitit në nder të Ukrainës, vjen një mesazh nga presidenti Zelensky. Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Zelensky thekson se është në Tiranë, ndërsa e cilëson Ramën një mik të pakompromisë të Ukrainës.

Postimi:
Sot ndodhem në Tiranë. Do të takohem me Edi Ramën, një mik të pakompromis të Ukrainës dhe do të marr pjesë në samitin “Ukrainë – Evropë Juglindore”.

Ne do të zhvillojmë negociata me Kryeministrin e Shqipërisë dhe ekipin e tij për bashkëpunimin në mbrojtje dhe politikë, mbështetjen për Formulën e Paqes dhe punën për marrëveshjet e sigurisë. Shqipëria është një nga vendet që iu bashkua Deklaratës së Vilniusit të G7, për të cilën jemi shumë mirënjohës.

Në samitin “Ukrainë – Evropë Juglindore”, i cili mbahet për herë të dytë, do të flasim për rrugën tonë të përbashkët drejt qëllimit euroatlantik. Unë ofroj të mbështes përpjekjet e Ukrainës për të siguruar një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme, organizimin e Samitit Global të Paqes në Zvicër.

Do të zhvilloj takime dypalëshe me pjesëmarrësit e samitit.

08:35/ “1500 vite bukuri e pathyer”/ Posta Shqiptare nxjerr pullën postare në nder të Ukrainës, të ardhurat në ndihmë të luftës

Në nder të vizitës së presidentit të Ukrainës Volodymir Zelensky në Tiranë, pullën postare kushtuar Ukrainës. Në pulla paraqiten dy vajza Ukrainase, nën dixhiturën: Ukraina, bukuri e pathyer për më shumë se 1500 vite.

Të ardhurat nga shitja e pullave postare do të shkojnë për mbledhjen e fondeve me qëllim sigurimin e pajisjeve të demontimit.

08:24/ “Rroftë Ukraina”, ministri Kuleba përshëndet në shqip nga Tirana: Mirënjohës për mbështetjen! Rusia të krimet e luftës

Ministri i jashtëm Igli Hasani po mban një konferencë të përbashkët me homologun e tij ukrainas Dmitro Kuleba.

Kuleba: Është mirë të jesh në Tiranë si pjesë e delegacionit që shoqëron presidentin Zelensky. Samiti tregon se sa vlerësim gëzon Shqipëria në rajon.
Sot diskutuam bashkëpunimin dypalësh, Shqipëria mike e mirë e Ukrainës, dua ta falenderoj për ndërmarrjen humantiare për rehabilitimin e fëmijëve ukrainas prindërit e të cilëve janë vrarë në luftë. Çdo mbështetje është e vlerësuar.
Më kujtohet me mirënjohje mandati i Shqipërisë në Këshillin e Sigurimit dhe mënyra si keni marrë pjesë në diskutimet për Ukrainën.

Informova ministrin për situatën në front dhe sulmet me dronë e raketa. E rëndësishme që Rusia të mbahet përgjegjëse për krime te agresionit dhe krimet e luftës.

Pritshmëritë tona është që një nga rezultatet e samitit të Uashingtoonit do jetë që Ukrainë do të jetë një hap më pranë anëtarësimit.

Të dashur miq, rroftë Ukraina!

08:21/ “Mbështesim sovranitetin e Ukrainës”, Hasani në krah të homologut Kuleba: Po punojmë për hapjen e ambasadës shqiptare në Kiev

Ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani ka dalë sot në një deklaratë të përbashkët për media me homologun e tij ukrainas, Dmytro Kuleba.

Hasani: Nder i veçantë të kemi sot mes nesh në Tiranë pranishëm Ministrin Kuleba, Ministër i Jashtëm i Ukrainës, në një moment kur vendi i tij është nën një sulm të paprecedentë dhe të pajustifikuar që prej dy vitesh nga Federata Ruse. Shqipëria mbështet sovranitetin, lirinë, pavarësinë, tërësinë territoriale të Ukrainës.

Shqipëria dënon me forcë agresionin rus ndaj Ukrainës dhe do të vijojë përpjekjet për ta mbajtur Rusinë përgjegjëse për krimet e kryera në Ukrainë. Shqipëria mbështet Planin me 10 Pika të Presidentit Zelenski, si mundësia më realiste për dhënien fund të luftës dhe arritjen e një paqeje të qëndrueshme. Së bashku me aktorë dhe vende të tjera, kemi marrë tashmë angazhimin për bashkëpunim në realizimin e Pikës 5 që Ka të bëjë me “Rivendosjen e tërësisë territoriale dhe sovranitetit të Ukrainës”, si një nga objektivat më imediatë të përfundimit të luftës.

Jemi në koordinim të plotë me të gjitha vendet tona partnere dhe aleate për përballimin e situatës në mbështetje të plotë për Ukrainën. Për më tepër, Shqipëria e ka vendosur si përparësi të punës së saj trajtimin e situatës në Ukrainë dhe dënimin e agresionit rus, në të gjitha forumet ndërkombëtare, siç kemi bërë gjatë periudhës dy-vjeçare në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, siç po veprojmë në kuadër të anëtarësisë tonë në KDNJ, apo edhe organizmat rajonale, ku këtë vit kemi edhe kryesimin e nismave të BSEC, CEI, Karta e Adriatikut. Pas përfundimit të detajeve ligjore e financiare, jemi në fazën e përgatitjeve teknike për hapjen e Ambasadës së Shqipërisë në Kiev, duke mbajtur në vëmendje edhe situatën e sigurisë në kryeqytetin e Ukrainës, por shpresojmë që inaugurimi të ndodhë në Pak muajt e ardhshëm.

Kemi zhvilluar bisedë të sinqertë e konstruktive për marrëdhëniet e mira e pozitive që ekzistojnë midis dy vendeve tona, si edhe kemi folur për rrugët e mënyrat e çuarjes së tyre përpara, me qëllim forcimin e lidhjeve mes Shqipërisë dhe Ukrainës. Më lejoni të nënvizoj disa aspekte në këtë drejtim: Kemi folur për ndihmën ekonomike e financiare që Shqipëria mund të ofrojë për përballimin e situatës në Ukrainë, por edhe për rindërtimin e saj, që shpresojmë të ndodhë sa më parë, pa asnjë vonesë; Kemi diskutuar për mënyrat e rritjes së bashkëpunimit ekonomik, pasi këto marrëdhëniet duhet të ngrihen në nivelin e atyre marrëdhëniet të shkëlqyera politike që ne kemi. Ekzistojnë mundësitë që shkëmbimet tregtare, edhe pse në të tilla kushte të jashtëzakonshme, të marrin një dimension të ri në rritje;

Jemi të lumtur për avancimin e Ukrainës në rrugën e saj pro-evropiane dhe urojmë që vendimi i Këshillit Evropian për hapjen e negociatave të anëtarësimit të shtrojë rrugën për nisjen e tyre sa më parë. Jemi të gatshëm që të ofrojmë edhe përvojën tonë të deritanishme në këtë proces. Shprehim bindjen se me rrugën e saj euroatlantike, Ukraina është e vendosur që e ardhmja e saj të jetë në krah të demokracisë, lirisë dhe vlerave evropiane. Dhe së fundi, uroj që Samiti i përbashkët midis vendeve të Evropës Juglindore dhe Ukrainës që fillon pas pak çastesh, i pari i këtij formati dhe që kemi nderin ta zhvillojmë në Tiranë, të jetë frytdhënës dhe të ofrojë perspektiva të reja për të ardhmen e Ukrainës dhe popullin të saj.”, tha Hasani.

AGJENDA

E mërkurë, 28 shkurt

09.00 – Presidenti Zelenskyy do të mikpritet nga Kryeministri Rama, në Kryeministri.
Mediat do të kenë akses në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, përpara godinës së Këshillit të Ministrave.

09.05 – Kryeministri Rama do të zhvillojë një takim kokë më kokë me Presidentin e Ukrainës Zelenskyy.

9.30 – Takimi bilateral mes dy delegacioneve.
Pamjet dhe fotot e takimeve do të shpërndahen për median në kanalet zyrtare të komunikimit dhe platformat e tjera sociale.

10.10 – Firmosja e marrëveshjes mes Shqipërisë dhe Ukrainës
Transmetim i drejtpërdrejtë në kanalet zyrtare të komunikimit dhe në platformat sociale

11.00 – Doorstep dhe mbërritja e liderëve ( Pallati i Kongreseve)
Akses të gjithë mediat, përpara Pallatit të Kongreseve

11.30-Kryeministri Edi Rama dhe Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelenskyy do të mbajnë fjalët hapëse të Sesionit.
Transmetim i drejtpërdrejtë në kanalet zyrtare të komunikimit dhe në platformat sociale

13:00 – Foto Familjare
Të gjitha mediat

13.30 – Kryeministri Rama dhe Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelenskyy do të mbajnë një Konferencë të përbashkët për shtyp.