Qytetarët në Shqipëri kanë treguar besim në rritje te Prokuroria e Posaçme SPAK.

Ky i fundit renditet institucioni i parë shqiptar me besim nga qytetarët.

Sipas një sondazhi nga Barometri i Euronews Albania, vetëm selitë e huaja diplomatike e tejkalojnë SPAK-un për besueshmëri në vend, teksa të gjitha institucionet e tjera, duke përfshirë ato fetare, Presidentin, Qeverinë, pushtetin vendor, Policinë, apo Median, mbeten pas.

Konkretisht shifrat tregojnë se në shkurt të vitit 2024, 33.6% besojnë te SPAK, me rritje të konsiderueshme nga nëntori i 2022-t që ishte 12.2 dhe nëntori i 2023-t me 26.16%.

Gjithashtu, në përpjesëtim të drejtë janë dhe të dhënat e vlerësimit të punës që ka bërë SPAK deri më sot.

Në tërësi, 56.8% e qytetarëve e kanë vlerësuar (shumë)pozitivisht.

Duke bërë një krahasim me nëntorin e 2023-t, shifrat kanë ardhur në rritje gjatë tre mujorit të fundit nga 50 në 56.8%.

Sa i takon vlerësimit të SPAK për dosjet e inceneratorëve, qytetarët kanë shprehur optimizëm. Konkretisht shifra tregon 43.8% besim.

Të ndarë në votues sipas bindjeve politike, besueshmëria ka qenë në raport të zhdrejtë, ku socialistët e kanë vlerësuar pozitivisht 66.6% e tyre, ndërsa demokratët dhe aleatët e saj me vetëm 19.5%.

Një tjetër dosje e përmendur në barometër është dhe privatizimi i klubit Partizani, ku besueshmëria te SPAK për këtë të fundit është 45.2% pozitive dhe 23.2% negative.

Sipas votuesve të zgjedhjeve 2021, 65.7% e socialistëve e kanë vlerësuar pozitivisht ndërsa 21.5 e opozitarëve kanë pasur qëndrim pozitiv.

Në lidhje me dosjen e sterilizimit, përqindja te besueshmëria ka qenë më e ulët se te dy dosjet tjera.

39.6% e tyre kanë votuar pozitivisht për punën e SPAK.

Edhe në këtë rast, socialistët kanë qenë ato me besueshmërinë më të madhe me 59.3% ndërsa pjesa tjetër (PD- aleat) vetëm 19.5%.

Sa i takon vlerësimit për dosjen Metamorfoza, përgjimet për personazhet e botës së krimit dhe ato të Policisë, bilanci ka qenë 42.1 % pozitivisht dhe 23.1% vlerësim negativ.

Një tjetër, pyetje e barometrit ka qenë për mbështetjen e qeverisë që i jep SPAK-ut.

67.2% e të pyeturve kanë thënë e mbështet dhe 26.6% e tyre nuk e mbështet.

Ndërsa, në lidhje me opozitën, shifrat tregojnë se 24.3 % e qytetarëve besojnë se e mbështet, ndërsa 66.2% e tyre nuk e mbështet.

Sa i takon pyetjes së a ka në dorë qeveria të pengojë punën e SPAK-ut, 47.7% e tyre janë përgjigjur po ndërsa 40.5% jo, një diferencë jo shumë e madhe në përgjigje.

Për hetimin e të gjithë politikanëve të lartë nga SPAK, 35.5% janë dakord ndërsa 40.5% e tyre jo.

Në lidhje me paprekshmërinë e politikanëve, 31.9% e tyre janë dakord ndërsa 47.4% e tyre jo.

Sa i takon konstatimit se SPAK nuk guxon të hetojë kryeministrin Edi Rama, 30.9% e qytetarëve janë dakord ndërsa 47,7% e tyre nuk janë.

Kujtojmë se që nga krijimi i Prokurorisë së Posaçme SPAK – me qëllimin kryesor për luftimin e korrupsionit në nivele të larta dhe krimin e organizuar në vend – ndërkombëtarët kanë qenë mbështetëse të strukturës.

Marrja e “bekimit” të amerikanëve krijoi besimin duke filluar nga opozita e deri te populli – që shpesh kanë shprehur rezerva për funksionimin e drejtësisë (si të kapur nga pushteti).

Nga hapja e dosjeve të rëndësishme deri te arrestimi i zyrtarëve, puna e SPAK ka pasur duartrokitje.

Megjithatë edhe akuzat nuk kanë munguar. Kritikët, e konsiderojnë si vegël të kryeministrit Edi Rama. Ose siç ish-kryeministri Sali Berisha i quan “prokurorë politikë” të tij.