Nga Artur Ajazi
Gjithë të arrestuarit dhe të hetuarit, madje edhe ata si Arben Ahmetaj që mori rrugën e ekzilit, po na dalin “viktima të politikës”. Hiqen si “të burgosur politikë, viktima të politikës”, por nuk thonë, si u pasuruan, si u bënë milionerë në euro, si u bënë me vila, pallate, resorte, makina 200 mijë euroshe, dhe si u lidhën “rastësisht” me aferat e korrupsionit. Askush nuk pranon pas arrestimit apo shpalljes në kërkim, se “ka qenë pjesë e politikës, e partisë, e vendimarrjes, e qeverisjes, e komisioneve, e firmosjes dhe vulosjes”.
U bë si një fenomen normal (duket se shohin Berishën dhe bëjnë si ai) në Shqiperi. Kush kapet duke vjedhur, duke abuzuar me detyrën, ligjin dhe paratë e taksapaguesve, e shpall vehten “viktimë, i burgosur dhe i pafajshëm, për shkak të politikës”. Ka ardhur dita, të japin llogari të gjithë ata drejtorë, ministra, zv.ministra, deputetë apo dhe drejtues vendorë, qofshin ata të PD apo PS, për gjithçka kanë bërë. Si mund të vish nga “hiçi”, pra nga apartamenti 2+1 67 metra katrore, nga fiati “panda” dhe jetesa normale, dhe të pasurohesh me vila, pallate, resorte, baxho në fshat, troje, toka, dhe miliona euro në banka.
Kjo ndodh vetëm në republika bananesh, apo ka ndodhur në kohën e Saliut, por nuk tolerohet nga Edi Rama. Të gjithë, ata që janë sot nën hetim nga SPAK, ata që janë në qeli apo po bëhen gati të hyjnë atje, po aludojnë se “nuk kam lidhje me asnjë tender, me anjë koncesion, me asnjë procedurë, me asnjë firmë, me asnjë vjedhje”… Kjo natyrisht do të ishte e besueshme në kohën e drejtësisë së “Plepave”, ku prokurorë dhe gjyqtarë me të mesme, pasi mbaruan kursin 6-mujor atje, amnistuan gjithë kastën e hajdutëve dhe abuzuesve të Berishës.
Nuk ka asnjë lidhje vjedhja, abuzimi, pasurimi i një zyrtari, ministri, ish-ministri, apo politikani, me justifikimin se “jam viktimë e politikës, medias, apo dhe kryeministrit”. Vodhe, zhvate, u pasurove deri në ekstrem, tani përballu me hetimin, arrestimin, gjykimin, vendimin. Profka të tilla si “jam viktimë dhe i burgosur i Ramës dhe politikës”, nuk i ha më populli shqiptar. I hëngri para 25 vitesh, apo dhe para 15 vitesh, kur ish-lideri i quante edhe gardistët që qëlluan drejt turmave në 21 Janar “nderi kombit”, duke mos i dorëzuar tek organet hetimore. Në demokraci, “kush bën, paguan”. Partia, qeveria, ministria, Parlamenti, janë “aksesorë” që nuk hyjnë në punë kur funksionon drejtësia e pavarur.
Me këtë mentalitet, ku çdo politikan, qeveritar, apo zyrtar i shtetit arrestohet dhe shpall vehten “viktimë të politikës”, askush nuk të pranon në familjen e madhe europiane. Edi Rama, ndër shumë iniciativave të guximshme qeverisëse, bëri me kurajo të madhe, përmbysjen e mendësisë së vjetër në teori dhe praktikë tek çdo socialist që ka patur dhe gëzuar poste dhe ofiqe, atë të përballjes me ligjin, pa mbrojtje politike, kur rezulton se e ka shkelur dhe abuzuar atë.