Në drejtimin e zëvendëskryetares Etilda Gjonaj, komisioni për Çështjet Europiane zhvilloi mbledhjen e radhës online, në platformën “Zoom”, ku shqyrtoi disa projektligje të rëndësishme. Për projektligjin “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin Nr.162/2020, “Për Prokurimin Publik””, ku e ftuar ishte ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali dhe Elira Kokona këshilltare e jashtme pranë Kryeministrit dhe Reida Kashta drejtore e APP. Në fjalën e saj në prezantim të këtij projektligji, ministrja Spiropali u shpreh se propozimi për ndryshime në këtë ligj vjen në kuadër të procesit të integrimit, ku konkretisht synohet përafrimi i legjislacionit me dy direktiva të BE, si edhe ne kuadër të angazhimeve të marra në takimin dypalësh për kapitullin 5 për “Prokurimin publik”, të zhvilluar në Bruksel.

“Këto ndryshime vijnë për të adresuar problematikat e dala gjatë zbatimit të ligjit në praktikë, të lidhura kryesisht me organizimin e kuadrit institucional, zhvillimit teknologjik të aspekteve të ndryshme të procesit të prokurimit, duke futur konceptin e inteligjencës artificiale dhe automatizimit të proceseve në sistemin e prokurimit elektronik, e ndërveprimin e këtij të fundit me sisteme të reja”, theksoi ministrja Spiropali. Relatorja e çështjes, Pranvera Resulaj, tha se, nevoja për hartimin e këtij projektligji erdhi si rezultat i domosdoshmërisë së përmirësimit të kuadrit legjislativ për prokurimin publik, duke analizuar problematikat e dala gjatë zbatimit të këtij ligji në praktikë nga autoritetet kontraktore, operatorët ekonomikë dhe organet audituese, me qëllim lehtësimin e procesit të prokurimit, por edhe duke synuar përafrimin e mëtejshëm të ligjit me direktivat e BE-së. Pas diskutimeve, anëtarët e komisionit e miratuan projektligjin në parim, Nen për Nen dhe në tërësi.

Mbledhja e komisionit vazhdoi me shqyrtimin e projektligjit “Për Ratifikimin e Marrëveshjes së Financimit, ndërmjet Republikës së Shqipërisë, Republikës së Italisë dhe Komisionit Evropian, i cili përfaqëson Bashkimin Evropian, për Programin e Bashkëpunimit (INTERREG VI-A) IPA Itali-Shqipëri-Mali i Zi (Adriatiku Jugor) 2021-2027”. Të ftuar ishin përfaqësues nga SASPAC, drejtori i drejtorisë së Konvergjencës dhe Kohezionit me BE, Altin Zeqo, dhe Arbër Qystri, drejtor i drejtorisë së Bashkërendimit të Ndihmës së Huaj. Zeqo në prezantim të projektligjit, në fjalën e tij nënvizoi se objektivi i përgjithshëm i programit është promovimi i rritjes ekonomike dhe intensifikimi i bashkëpunimit në zonën e Adriatikut Jugor, duke zbatuar veprime të përbashkëta ndërmjet aktorëve institucionalë dhe jofitimprurës kombëtarë e rajonalë dhe duke nxitur zhvillimin gjithëpërfshirës dhe të qëndrueshëm.

Relatori i projektligjit, deputeti Etjen Xhafaj, u shpreh se, është një bashkëpunim që promovon zhvillimin e gjerë të turizmit, zonat e gjelbra dhe zonat më sociale, më bashkëpunuese dhe më bashkëpunuese mes njëri tjetrit. Projektligji nuk synon përafrimin me ndonjë acquis të Bashkimit Evropian. Pas diskutimeve, anëtarët e komisionit e miratuan projektligjin në parim, Nen për Nen dhe në tërësi. Po ashtu, komisioni miratoi në parim, Nen për Nen dhe në tërësi edhe projektligjin “Për Ratifikimin e Marrëveshjes së Financimit, ndërmjet Republikës së Shqipërisë, Përfaqësuar nga Këshilli i Ministrave i Republikës së Shqipërisë, Malit të Zi dhe Komisionit Evropian, për programin IPA të Bashkëpunimit Ndërkufitar Mali i Zi – Shqipëri 2021-2027”.