Presidenti i FSHF-së, Armand Duka foli në Supersport për të komentuar rreth shortit të Nations League, aty ku Shqipëria do të luajë në Grupin 1 të Ligës B së bashku me Çekinë, Ukrainën dhe Gjeorgjinë.
Numri një i Federatës theksoi se do të preferonte Anglinë në vend të Çekisë ndërsa ftoi lojtarët e kombëtares të mendojnë fillimisht për Europianin dhe më pas për Nations League.
Shorti? “Janë skuadra të të njëjtit nivel sportiv, i pranueshëm. Janë skuadra të mira, por nuk mund të thuhet se do të ishim më mirë në një grup tjetër. Jemi një grup i balancuar, i vështirë për t’u parashikuar fituesi. Grup interesant.
Nëse do të kisha zgjedhur me dorë mund të kishte ndryshime, nuk doja Çekinë. Janë të fortë dhe e kemi provuar, do të më pëlqente pse jo Anglia. Është kënaqësi kur luan kundër të mëdhenjve dhe fiton eksperiencë.
Ajo që dua dhe që i bëj thirrje futbollistëve është që le të mos mendojmë shumë për këtë short, edhe pse do ta marrim seriozisht, por duhet të përqëndrohemi në Europian. Futbollistët duhet ta shijojnë Europianin, ashtu edhe tifozët. Spanja, Kroacia dhe Italia ishin në Ligën A dhe ne ato i kemi në grupin e Europianit”.
Kur konfirmohet Sylvinho, apo keni ndonjë plan B? “Nuk ka asnjë plan B, nuk e mendoj të ndërpres marrëdhënien me stafin. Ka qenë një periudhë e ngarkuar dhe nuk kemi pasur kohë të ulemi dhe të bisedojmë. Kemi para Europianin dhe ai ka qenë i përqëndruar aty, është një sukses i madh edhe për Sylvinhon që nuk është një nga ata trajnerët me shumë eksperiemcë. Por, do ta gjejmë mundësinë të diskutojmë edhe për atë që do ndodhë përtej Europianit”.
Kandidat për president të UEFA-s pas vendimit të Ceferin për të mos rikandiduar? “Asgjë nuk e pengonte Ceferin që të vazhdonte, por edhe unë si futbollistët, jam i përqëndruar te Europiani”, u shpreh Duka.