Nga Ardit Rada
Tirana ka përjetuar dy ditë intensive teksa ka mikpritur liderët e rajonit si dhe presidentin ukrainas. Vizitat e këtij të fundit nuk janë edhe aq të zakonshme në situatën e luftë që po përjeton vendi i tij, por organizimi i një samiti si askund tjetër nga Shqipëria e solli edhe Volodymir Zelenskin në Tiranë. Të dyja organizimet e këtij fund shkurti morën jehonën e merituar nga mediat ndërkombëtare, duke shuar çdo dyshim për dobinë e tyre kryesisht në arenën ndërkombëtare. Por edhe në politikën e brendshme mbajtja e tyre në kryeqytetin shqiptar tregon seriozitetin e politikës së jashtme sot, si dhe radhitjen e Shqipërisë si një anëtar i vyer i NATO-s sot dhe i BE-së nesër.
Shqipëria që ishte mësuar të lakonte prej 15 vitesh vizitën e presidentit amerikan George Ë. Bush si arritje të madhe edhe pse ai ishte në fund të mandatit të dytë, sot i ka kthyer samitet ndërkombëtare në zemrën e saj si diçka të zakonshme. Sipari u hap me risinë kur në Tiranë nisën të mblidheshin qeveritë e përbashkëta Shqipëri-Kosovë me kërkesë të qeverisë shqiptare. Më pas, Samiti i Bashkimit Evropian solli në zemër të Shqipërisë vitin e shkuar të gjithë liderët e vendeve anëtare të familjes europiane dhe krerët më të lartë të Brukselit. Dhe ky samit falë organizmit shpalosi jo vetëm një Shqipëri të denjë për t’u ulur e barabartë me perëndimin në tryeza politike, por solli edhe një promovim të kulturës, traditës e turizmit.
Llogarisni një moment Shqipërinë e djeshme me atë të sotme. Një vend ku ushtarët e NATO-s alokoheshin për ta ruajtur nga destabiliteti që kërcënonte opozita berishiane që rrëmbente tanket, sot po ndërton një bazë moderne ajrore në Kuçovë për aleancën e atlantikut verior. Një vend që të huajt e shkelnin vetëm për operacione humanitare si ALBA apo PELIKAN, dot është donator në çdo katastrofë natyrore të aleatëve dhe kontribuese në çdo luftë të drejtë. Shqipëria e sotme diskuton me Zelenskyn sesi mund t’i japë gjithçka për ta fituar luftën. Dhe kjo, pasi Ukrainës iu bë avokatia më e bukur ndonjëherë në Këshillin e Sigurisë, kur ky i fundit u drejtua nga kryeministri i Shqipërisë.
A janë të gjitha këto rastësi? Sigurisht që jo, përndryshe do t’i kishim parë qoftë edhe një herë të vetme në Shqipërinë e shkuar. Të gjitha janë pasoja të seriozitetit që vendi paraqitet në arenën ndërkombëtare, premtimeve të mbajtura dhe vrapit që ka marrë drejt anëtarësimit në BE. Mbi të gjitha, me të vërtetat që qeveria shqiptare ia thotë sot troç Bashkimit Evropian edhe kur ku i fundit duket sikur nuk e ka ‘mendjen’ te zgjerimi. Ndaj mesa duket sot na duan më shumë. Ndaj Tirana është kthyer në kryeqytetin e samiteve.