“Ti je një luledielli” është një fushatë sensibilizuese për grumbullimin e të ardhurave në ndihmë të fëmijëve të prekur nga sëmundjet e gjakut, të cilët janë shtruar dhe trajtohen pranë shërbimit të onkohematologjise pediatrike pranë QSUT. Gjithçka nisi nën idenë, konceptimin dhe kurimin e Albana Osmanit.

Në “Albana Osmani Show”, prezantuesja e njohur tregoi si nisi fushata, mbështetja që mori, por edhe pengesat që i vunë përpara.

Për herë të parë Albana Osmani tregon se është kërcënuar me jetë që ta ndërpresë fushatën e “Ti je një luledielli”.

Ajo thotë se ka patur frikë për jetën e saj, ndërkohë që, edhe pse kanë kaluar disa vite, nuk mori asnjëherë përgjigje nga autoritetet, pavarësisht nga denoncimet, se kush ishin personat që qëndronin pas kërcënimeve.

“Gjatë fushatës së dytë humanitare, kur lulet e diellit që janë të ndriçuara në kryeqytet dhe janë pjesë e një projekti të cilin ne jemi ende duke punuar, por i thyen lulet dhe i zhgarravitën me disa simbole që më thanë se janë satanike. Jam zgjuar në mëngjes dhe pashë që lulet ishin sulmuar. Jam ndjerë thellësisht e trishtuar. Kujt i prishën punë këto lule që ndihmojnë një fëmijë i cili nesër në mëngjes ndoshta nuk do të zgjohet më kurrë? Isha e tronditur. Bëra një reagim publik. Por kjo nuk ishte kjo pengesa e parë. Pengesat ishin të shumta deri në kërcënime që kjo punë të ndalonte. Ende sot e kësaj dite ende nuk e di se kush mnund të kenë qenë autorët, flas në shumës se dukej një punë e organizuar. Gjithçka që po servirej, të paktën në backstage, edhe një personi të vetëm që arrinte të blinte një bluzë luledielli diku në Greqi, Itali, Holandë, USA në sajë të një fushate nuk e di pse por menjëherë kontaktohej dhe i jepej një përshkrim negativ në mënyrë që të dyshohej mbi punën që kryhej. Do të doja me gjithë shpirt që të mos ishin shqiptarë, do të doja me gjithë shpirt të mendoja që ishte dikush që nuk po pëlqente faktin që tre luledielli u ndezën në tre sheshe kryesore shqiptare, pra në sheshin Skënderbej në Shqipëri, në sheshin Skënderbej në Shkup dhe në sheshin Nënë Tereza në Prishtinë. Tre fushata humanitare u mbyllën me sukses të plotë dhe me kokën lart, me shumë dinjitet. Në tre spitale shtetërore, në pavionin e onko-hematologjisë jam gjendur shpesh herë në momente të tilla që jam gjendur krejtësisht e vetme dhe kur flas për veten flas për ekipin e vullnetarëve që kemi qenë çdo ditë dhe çdo natë bashkë. Pra, jemi gjendur të vetëm, si “pa mbrojtje”, por ne kemi patur me vete më të madhin që unë kam besuar dhe besoj se ishte si mision që na u dha, Zotin! Do ta përmend gjithmonë dhe unë besoj se ky është një mision që mua më është deleguar në jetë dhe që është në përgjegjësinë time dhe njerëzve që do të më bashkojnë duart sot dhe derisa të kem jetë e do ta vazhdojmë përpara. Patjetër në shumë momente kisha edhe frikë se çfarë po ndodh, edhe kam denoncuar, patjetër që e kam ndjekur dhe nuk kam patur përgjigje se kush po merrej në prapaskenë që fushata e lulediellit të ndalonte fluturimin e vet, megjithatë nuk e kanë ndaluar. Sot është hera e parë që unë e tregoj publikisht këtë histori, sërish po kursehem sepse mua më pëlqen të flas për gjërat që kanë jetë, kanë shpresë, kanë forcë, që nuk ndalojnë dhe kështu është luledielli dhe kështu ndihem të them të vërtetën përpos gjithë këtyre që unë arrita të ndaj me ju“, rrëfen ajo.
Albana Osmani tregon se nisma “Luledielli” vazhdon rrugën e saj, pavarësisht vështirësive.

“Vetëm pandemia e ka ndaluar. Në 2023 ne patëm një fushatë për shëndetin mendor që për çudinë time ka qenë shumë prekëse fakti që të shkoje tek të rinjtë dhe sa e sa shumë nevojë kishin ata për t’u kujdesur në këtë pikë. Luledielli vazhdon rrugën me dinjitet dhe shpresojmë që të vazhdojmë ashtu siç e kemi nisur me mijëra dhe miliona bashkë“.