Një tjetër video është publikuar nga situata e raportuar katër ditë më parë në xhaminë “Dine Hoxha” në kryeqytet, ku besimtarët kanë ofenduar myftiun e Tiranës Laurent Lulin dhe kanë tentuar ta përzënë.

Videoja tjetër është shpërndarë nga një faqe në Facebook, krahas pamjeve shkruhet: “Një tjetër video, tjetër këndvështrim i situatës, ka mbërritur në redaksinë tonë, për hir të transparencës po e publikojmë për të kuptuar gjithsecili qëndrimet e veta dhe mbi të gjitha të pasqyrojmë idenë se askush nga besimtarët që u ngrit aty nuk e ka personale me hoxhë dr. Ahmed Kalaja, por me sektin abuzues gylenist dhe vasalët lëpirxhinj gylenxhinj.”

Kujtojmë se besimtarët i ndërprenë fjalën myftiut dhe përplasja degradoi në kakofoni, ku më pas hoxha i xhamisë, ligjëruesi, Ahmed Kalaja është futur që t’i qetësojë. Besimtarët i bënin thirrje myftiut të largohet, duke kundërshtuar qëndrimin e tij në pozicionin që mban.

Kujtojmë se dita e përplasjes përkoi dhe me vizitën e Ramës në Turqi për një takim zyrtarë me Erdogan, ku midis të tjerash Presidenti turk i ka kërkuar Kryeministrit shqiptar të largojnë mbetjet gyleniste nga Shqipëria.