Ministrja për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali deklaroi sot se, vizita e Sekretarit Amerikan të Shtetit, Antony Blinken në Shqipëri, tregon se vendi ynë është partneri më i besuar i SHBA-ve në këtë rajon.
“Është një moment i rëndësishëm për sigurinë në Evropë dhe botë dhe patjetër në rajonin tonë. Patjetër që kërkon dhe një momentum të ri komunikimi e bashkëveprimi mes partnerësh strategjikë, siç është Shqipëria me SHBA dhe është kuptimplotë fakti që në rajonin tonë, jo pak i cenuar nga arkitektura e re e sigurisë dhe nga faktorët e tjerë ndikues e agresivë e jo miqësorë, sekretari Blinken zgjedh pikërisht Tiranën dhe Shqipërinë për ta vizituar si partnerin më të besuar të SHBA-vë ne këtë rajon, që ka dëshmuar, që jo vetëm konsumon siguri, por dhe ofron siguri në të gjitha forumet ndërkombëtare, ashtu si edhe në NATO, edhe në aleancën tonë të madhe euro-atlantike”, tha Spiropali në një intervistë televizive.
Për axhendën e vizitës Blinken në Shqipëri dhe takimin e tij me kreun e SPAK, Altin Dumani, Spiropali shpreh se, “di që do ketë vizita me kryeministrin dhe ndoshta autoritete të tjera, nuk di të them, por nuk e shoh as të çuditshme në fakt, sepse reforma në drejtësi ka qenë e mbështetur edhe nga kjo qeveri, nga kjo shumicë, nga PS, por edhe nga partnerët tanë, pa të cilët ne nuk do të kishim mundur që ta çonim në fund dhe ta materializonim vizionin tonë dhe përpjekjen tonë, si në parlament ashtu edhe në ndërtimin e institucioneve të reja, të cilat po dëshmojnë ditë pas dite se po dinë dhe po duan ta kryejnë detyrën e tyre”.
Spiropali u shpreh se, Shqipëria është një partner i SHBA, në të gjitha pikëpamjet.
“Edhe pse ne jemi një vend më i vogël, kemi dëshmuar se dimë që të mbajmë peshën tonë, të ndihmojmë aleatët tanë, t’i gjendemi vendeve si Ukraina, apo krizës në Afganistan me mbajtjen dhe mikpritjen këtu të afganëve, ashtu siç dimë që edhe së bashku me partnerët tanë dhe me SHBA-të, të ndërtojmë institucionet tona që janë guri i themelit dhe janë garancia që të gjitha punët e tjera të mira të Shqipërisë dhe të gjitha reformat të mos kthehen mbrapsht”, u shpreh Spiropali.