Policia ka arrestuar një burrë pasi tre gra u vranë brenda një shtëpie publike në kryeqytetin austriak, Vjenë.

Një dëshmitar kishte zbuluar gjurmë gjaku jashtë ndërtesës, që ndodhet pranë lumit Danub, dhe lajmëroi policinë të premten në mbrëmje.

“Gratë u gjetën të vrara me prerje në trup, çka besohet të jenë plagë të shkaktuara nga thika”, tha zëdhënësi i policisë Philipp Hasslinger.

Një 27-vjeçar azilkërkues nga Afganistani u arrestua në afërsi të shtëpisë publike teksa mbante një thikë në dorë, e cila dyshohet të jetë arma e krimit.

Policia gjeti një grua të katërt brenda shtëpisë publike dhe ajo po merret në pyetje nga oficerët si dëshmitare okulare. Identiteti i tre viktimave mbetet i paqartë, por shtëpia publike është në lagjen e 20-të të Vjenës, një nga më të varfrat e qytetit.