Ekzekutimi i një biznesmeni grek ka tronditur mbrëmjen e sotme qytetin e Athinës. Sipas autoriteteve greke, Kristos Jalias është ekzekutuar fillimisht me kallashnikov dhe më pas trupi është djegur në makinë. Ngjarja e rëndë ka ndodhur rreth 200 metra nga shtëpia e viktimës. Përveç makinë së djegur ku u gjet trupi i biznesmenit, u gjet edhe një tjetër makinë e djegur më tej, e cila dyshohet se u përket autorëve të krimit.

Kristos Jalias ishte një biznesmen tepër i njohur në Greqi. Ai ishte një ndër tregtarët më të mëdhenj të mishit në Greqi. Ai kishte edhe një fabrike boje si dhe ka qenë president i ekipit të futbollit të Trikallas. Ai ishte martuar me një grua shqiptare nga Elbasani dhe kishte me të një fëmijë. Bashkëshortja e parë e tij ishte ekzekutuar në mënyrë misterioze në vitin 2018 dhe autorët nuk janë gjendur kurrë.

Emri i Jalas është përfshirë edhe në Shqipëri në disa aktivitete tregtare, import-eksport mallrash tregtie nga vendet e Amerikës latine drejtë Shqipërisë me stacion ndërmjetës Athinën, tregti mishi, boje dhe blerje pronash. Ai kishte të punësuar më shumë se 4000 punonjës në dhjetëra kompanitë dhe bizneset e tij.

Policia thotë se dy janë pistat e hetimit. Ajo e larjes së hesapeve mes bandave të kontrabandës së cigareve që operojnë në zonën e Elefsine ose pista e prishjes së bizneseve me partnerët e tij shqiptare në bizneset që ai kryente me vendin tonë.

Viktima ka qenë ortak jo zyrtar me Thimio Dobroniku, një shtetas shqiptar i ekzekutuar pak muaj më parë në Faliro të Athinës. Dyshohet se pista kryesore është kontrabanda e cigareve dhe me gjasa autoret janë bandat e gjeorgjianëve që po ekzekutojnë gjithë eksponentët e mafies së trafikut të cigareve kontrabandë në Athinë.