Sergio Alberto Jáuregui, një futbollist bolivian, u vra të dielën e kaluar pasi u qëllua disa herë me armë zjarri teksa po luante një ndeshje miqësore në qytetin e Cuautla, Morelos, në Meksikë.
Sipas mediave meksikane, ngjarja raportohet të ketë ndodhur në orën 11:00 të mëngjesit të datës 28 janar 2024.
Sergio Jáuregui, 31 vjeç, ishte duke luajtur një ndeshje miqësore në lagjen Eusebio Jáuregui kur një person i paidentifikuar u fut në fushë dhe qëlloi 6 herë ndaj tij.
Pak minuta pas sulmit, shërbimet e urgjencës dhe ambulancat mbërritën në vendngjarje, por futbollisti kishte ndërruar jetë.
Pas publikimit të lajmit për vrasjen e ish-lojtarit bolivian, ekipi i Atlético de San Luis Rey shprehu ngushëllimet përmes një deklarate të shkurtër të publikuar në rrjetin social Facebook:
“Na vjen keq për vdekjen e ish-lojtarit tonë dhe kapitenit Sergio Jauregui që mbrojti ngjyrat e ekipit tonë në Torneo de los Soles. I dërgojmë ngushëllimet tona më të thella familjes së tij”.
Kush ishte Sergio Jáuregui?
Sergio Jáuregui Landivar ka lindur më 13 mars 1985 , në Santa Cruz de la Sierra, në Bolivi dhe ka luajtur si mbrojtës. Sipas mediave vendase në Meksikë, ai ishte pjesë e ekipit Arroceros de Cuautla, në të cilin u kthye në një nga figurat dhe idhujt kryesorë në Morelos, duke u pozicionuar si kapiten i skuadrës.
Në vitin 2015 ai doli në pension si lojtar profesionist për të filluar të lozte për skuadra të ndryshme “gjysmë-profesionale”.