Nënpresidentja amerikane, Kamala Harris gjatë një takimi me presidentin ukrainas në Mynih, e siguroi atë se Uashingtoni do të qëndrojë me Kievin për aq kohë sa të jetë e nevojshme.
Ndërsa paketa e re e ndihmës për Ukrainën përballet me kundërshti të shumta nga republikanët e Dhomës së Përfaqësuesve, presidenti Zelensky tha se shumica e popullsisë amerikane mbështet kauzën e vendit të tij. Ai po kërkon nga Perëndimi të vazhdojë ndihmën ndaj vendit të tij, ndërsa ushtria ukrainase njoftoi se është tërhequr nga qyteti i shkatërruar lindor Avdiivka, duke i hapur rrugën ushtrisë ruse të bëjë përparimin më të madh që kur pushtoi qytetin e Bakhmutit majin e kaluar. Nënpresidentja amerikane, Kamala Harris zhvilloi një takim me Presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky në Konferencën e Sigurisë në Mynih të shtunën. Takimi u zhvillua në një kohë kur aleatët evropianë po i bëjnë thirrje Kongresit të Shteteve të Bashkuara të miratojnë një paketë prej 60 miliardë dollarë ndihmë për Ukrainën.
Kjo shumë do të përdorej për t’i dërguar Ukrainës raketa, municione dhe pajisje të tjera ushtarake për t’i përdorur në fushën e betejës. “Hera e fundit që ju kam takuar, ishte në Shtëpinë e Bardhë dhe dje mbajta një fjalim në të cilin thashë publikisht atë që unë dhe Presidenti Biden ju kemi thënë shumë herë: Ne qëndrojmë me Ukrainën. Ne kemi qëndruar me Ukrainën që nga dita e parë”, deklaroi nënpresidentja amerikane. Ndërsa paketa e re e ndihmës për Ukrainën përballet me kundërshti të shumta nga republikanët e Dhomës së Përfaqësuesve, presidenti Zelenskytha se shumica e popullsisë amerikane mbështet kauzën e vendit të tij.
“Ne kemi nevojë tani për unitetin tuaj gjatë një periudhe kaq sfiduese për ne. Dhe, natyrisht në Shtetet e Bashkuara është një periudhë sfiduese. Ne i kuptojmë të gjitha”, tha Zelensky. Ndihmat perëndimore për Ukrainën duken se janë të domosdoshme, ndërsa nga fusha e betejës për Kievin dhe aleatët po vijnë lajme jo fort të mira. Ushtria ukrainase njoftoi se ishte tërhequr nga qyteti i shkatërruar lindor Avdiivka, duke i hapur rrugën ushtrisë ruse të bëj përparimin më të madh që kur pushtoi qytetin e Bakhmutit majin e kaluar. Gjeneral-koloneli Oleksandr Syrskyi, i cili mori komandën e ushtrisë ukrainase javën e kaluar, tha se forcat ukrainase ishin zhvendosur në pozicione më të sigurta jashtë qytetit, i cili kishte një popullsi të paraluftës prej 32 mijë banorësh.
Sipas ekspertëve, gati dy vjet që nga nisja e agresionit, tërheqja është shenja më e qartë se si vala e luftës është kthyer në favor të Moskës pasi një kundërofensivë ukrainase dështoi të depërtonte linjat ruse vitin e kaluar. “Tërheqja u krye sipas planit, por disa ushtarë ukrainas u kapën nga Rusia në momentet përfundimtare”, tha gjenerali Oleksandr Tarnavskyi, por pa specifikuar numrin. Presidenti amerikan Joe Biden paralajmëroi në fillim të kësaj jave se qyteti Avdiivka mund të bjerë në duart e forcave ruse për shkak të mungesës së municioneve. Marrja e qytetit do t’i japë Presidentit Vladimir Putin një fitore në fushëbetejë, ndërsa ai kërkon rizgjedhjen muajin e ardhshëm dhe është një tjetër hap i vogël drejt synimit të Rusisë për të siguruar kontrollin e plotë të dy provincave që përbëjnë rajonin industrial të Donbasit.