1 në 8 persona në botë po jetojnë me obezitetin.
Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë në mbarë botën, obeziteti tek të rriturit është dyfishuar që nga viti 1990 dhe është katërfishuar tek fëmijët dhe adoleshentët nga 5 deri në 19 vjeç.
Të dhënat tregojnë gjithashtu se 43% e të rriturve janë mbipeshë.
Edhe Shqipëria po njeh rritje të obezitetit nga viti në vit. Për bluzat e bardha shifrat në vendin tonë po bëhen shqetesuese.
“Alarmante janë shifrat edhe tek ne. Në Shqipëri ka arritur të shfaqet në shifra më të larta vitet e fundit dhe ka dalë jashtë parashikimeve të OBSH. Rreth 25% e personave mbi 20 vjeç janë obezë. Më problematike janë shifrat tek fëmijët”,thotë endokrinologia Edlira Hoxha.
Obeziteti po ndikon edhe në rritjen e sëmundshmërisë.
“Rritja e shifrave të personave obezë shoqërohet me rritje të mortalitetit. Epidemia globale e heshtur shoqërohet me një rritje të lartë të sëmundjeve kronike, diabeti i tipit 2, hipertensioni arterial, sëmundjet kardiovaskulare dhe rritja e yndyrnave”, shton Hoxha.
Sipas OBSH më shumë se 1 miliard njerëz në botë tashmë po jetojnë me obezitetin.
Nisur nga këto statistika, projeksionet e ekspertëve tregojnë se deri në vitin 2035 një në dy të rritur do të jetë obezë.
Aktiviteti fizik dhe ushqyerja janë bazë për të eleminuar riskun e obezitetit.