Sot nisi rrugëtimin Konkursi Kombëtar i Gjuhës Shqipe, një ngjarje e shumëpritur në shkolla, që bën bashkë 11 mijë nxënës nga 930 shkolla publike dhe private nga i gjithë vendi, të cilët do të përfaqësojnë jo vetëm shkollën e tyre, por edhe përkushtimin e tyre dhe dijen ndaj gjuhës shqipe. Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu nga shkolla 9-vjeçare “Jeronim De Rada” dha disa mesazhe dhe tha se angazhimi i mijëra nxënësve dhe qindra mësuesve është një përpjekje për lartësimin e gjuhës shqipe.

“Në çeljen e parë të Konkursit Kombëtar të Gjuhës Shqipe për shkollat të tona dhe pikërisht për klasat e 9-ta ku angazhimi i më shumë se 900 shkollave ka bërë të mundur dhe angazhimin e më shumë se 11 mijë nxënësve tanë në një konkurs të madh të gjuhës shqipe në shkolla. Sot jam në një prej shkollave tona më të mira “Jeronim De Rada” dhe jam e bindur që do t’ia dilni mbanë, do t’ia dilni me suksesi edhe në këtë konkurs, i cili në fakt ne nuk presim thjesht të ketë fitues por të jenë të gjithë fitues në këtë përpjekje për lartësimin e vlerave të kombit tonë, për lartësimin e identitetit tonë kombëtar ku është dhe gjuha shqipe.”

Ky konkurs, zhvillohet për të dytin vit radhazi, por në këtë edicion të dytë ka tërhequr një vëmendje të veçantë pasi zhvillohet në kuadër të Vitit të Gjuhës Shqipe, një nismë e Ministrisë së Arsimit dhe Sportit që siç deklaroi Ministra Manastirliu, synon të vërë theksin te rëndësia e ruajtjes dhe promovimit të gjuhës shqipe.

“Do të jetë një konkurs, i cili do të jetë një kombinim i asaj që ju keni mësuar deri më sot por edhe i eksplorimit të mëtejshëm në thesarin e gjuhës sonë shqipe.
Do të jetë një punë që ju e keni bërë paraprakisht por që do të vijoni të thelloheni edhe më shumë mes klasave ,mes grupeve e më tej mes shkollave dhe në fund fare në gjysmëfinale dhe në finalen e madhe e cila do të transmetohet edhe nga Radio Televizioni Publik Shqiptar.
Konkursi Kombëtar i Gjuhës Shqipe për klasat e 9-ta është në kuadër Vitit të Gjuhës Shqipe, ku një seri aktivitetesh po zhvillohen në mbarë sistemin tonë arsimor, sigurisht edhe me përpjekjet që ne jemi bërë duam që ta shtrijmë edhe përtej kufijve, pra të kemi edhe një Olimpiadë të Gjuhës Shqipe së bashku me Kosovën, kështu që përgatituni sa më mirë dhe forca përpara sa më shumë dije, sa më shumë informacion, sa më shumë aftësi, sa më shumë kompetenca do ju bëjnë shumë të aftë, por mos harroni: Gjuha shqipe është ajo që gjithmonë do të na mbajë të lidhur së bashku dhe që është krenari dhe është trashëgimia jonë më e madhe.”, ishte mesazhi që përcolli Ministrja Ogerta Manastirliu, për 11 mijë nxënësit në çdo skaj të vendit që janë bërë pjesë e Konkursit Kombëtar të Gjuhës Shqipe.

Rëndësia e këtij konkursi qëndron jo vetëm në vlerësimin e njohurive dhe aftësive të nxënësve në gjuhën shqipe, por edhe në kontributin e tij ndaj forcimit të identitetit kombëtar dhe kultivimit të një brezi të ri të përkushtuar ndaj trashëgimisë së tyre kulturore. Përmes kësaj nisme, nxënësit inkurajohen të zhvillojnë dhe të shprehin dashurinë e tyre për gjuhën shqipe, duke u bërë ambasadorë të saj brenda dhe jashtë kufijve të vendit.