Nga Ylli Pata/
Mund të tingëllojë si barsaletë, por sërish, përfundimisht e realisht “Fajin e ka Saliu”. Natyrisht do të vijojnë komentet agresive, ku para se të japin argumentin nuk pushon përroi psiqik i diarresë së të sharave, e në fund do thonë: Po Saliu ka 11 vjet që ka ikur nga pushteti, prapë ka faj?
Në fakt ai nuk ka sesi të jetë fajtori i vetëm, por si njeriu më i rëndësishëm, ka fajin më të madh. Është tjetër gjë se fajet lahen në gjykatën e emigracionit të Londrës, në GJKKO apo në “Ditën e Gjykimit”.
22 marsi 1992, ka pasur mjaft shanse të mos ndodhë ashtu si ndodhi. Qarkullimi i dokumenteve zyrtare të asaj kohen nga ato pak institucione të shkatërruara në vend, por edhe raportet e selive të ambasadave Perëndimore tregojnë një situatë politike krejt ndryshe vetëm pak muaj para 22 marsit 1992. Gjithçka u përmbys, kur SHBA me anë të ambasadorit të saj në Tiranë, por edhe diplomatë e personazhe të tjerë të rëndësishëm, u bënë realisht fuqia politike e Partisë Demokratike.
Gjithçka nisi me ardhjen në Tiranë në qershorin e vitit 1991, të Sekretarit të Shtetit James Baker, i cili përveç se takoi të gjithë aktorët politikë në vend, zhvilloi një miting historic në sheshin “Skënderbej”. Miting, që e regjistroi Shqipërinë si një destinacion politik që ka përqafuar Perëndimin. E në atë miting, James Baker, i cili në një krah kishte kryeministrin socialist të qeverisë së koalicionit Ylli Bufi, e një një krah Sali Berishën, zgjodhi të mbështesë politikisht Dr.Berishën. Që e prezantoi si lideri i një Shqipërie të re, demokratike e properëndimore.
Më vonë Ambasadori Ryerson, mori pjesë në disa takime elektorale të PD-së, ku bëri thirrje hapur që të votonin për Partinë Demokratike. Madje gjuha e komunikimit e ambasadorit Ryerson shkoi edhe më larg se kufiri diplomatik. Pasi realisht SHBA e Perëndimi kishin një objektiv të qartë: më 22 mars 1992, duhet të fitonte se s’bën Partia Demokratike.
Nëse nuk do të fitonte Partia Demokratike, Shqipëria nuk kishte sigurinë që të jetë një vend i qartë Perëndimor. Ramiz Alia që ishte zgjedhur president, kishte të gjitha gjasat që të ishte sulmuar nga klanet e vjetra të Byrosë Politike, e këtë e tregon edhe vetë Ramiz Alia në dy librat e botuar më pas, atë të Blerim Shalës, që vjen si intervistë, por edhe në kujtimet e veta që nuk patën atë fuqi në publik që u botuan pak kohë para vdekjes.
22 Marsi për agjendën Perëndimore natyrisht ishte i lidhur me Sali Berishën e PD-në, por guri kilometrik që SHBA vendosi, ishte pak më i gjerë se doktori kartiolog që la bluzën për tu bërë President.
E në fakt 22 marsi, transformoi jo vetëm Shqipërinë, apo shoqërinë, por edhe vetë Partinë Komuniste Shqiptare alias PPSH.
Një transformim kaotik, problematik, skandaloz, i dhunshëm, por në fund të fundit gjithçka lëvizej nga vota. Partia Socialiste, 4 muaj më pas u ringrit në zgjedhjet lokale me votë. Në vitin 1996, opozita shqiptare fitoi kredit nga dhunimi i votës. Në kaosin e vitit 1997, Shqipëria si asnjëherë më parë zhvilloi dy palë zgjedhje të njëkohëshme: zgjedhjet parlamentare dhe referendumin për formën e regjimit. Një demonstrim briliant i demokracisë, edhe pse nën frikën e armëve të shpërndara në popullsi dhe Trupat Ndërkombëtare që OKB i dërgoi të mos dezintegronte shtetin.
Shkurt 22 marsi 1992, edhe pse bëri Sali Berishën njeriun më të fuqishëm e më të votuar pas luftës së Dytë Botërore, ishin demonstrimi politik i Perëndimit. Që krizën e zgjidh me votime. Ja shikoje sot.
Doktori është në qoshe; nën hetim, i shpallur Non Grata nga dy vendet më të fuqishëm të botës. Ku ndaj njerit ka hapur gjyq. Por nëse Sali Berisha do të fitonte zgjedhjet në Shqipëri, edhe me një projekt anti-amerikan që ai e ka dhe nuk e fsheh, situata do të ishte ndryshe. Por problemi është pikërisht këtu. Ndaj dhe shpenzon miliona në një gjykatë emigracioni në Londër, thjesht për të marrë ca deputetë.
Ndryshe do të fitonte zgjedhjet, e vërtetë do të ishte non grata, anti Perëndimor, një qeveri jo luale ndaj SHBA, si Albin Kurti, por do të konsiderohej legjitim. Se ka fituar zgjedhjet. Më shumë se oqeani që nuk kalon, ky është problemi më i madh, e këtë sado që kanë dërdëllitur 33 vjet. Në pushtet nuk erdhi as doktori as PD, por Perëndimi me 22 mars 1992.