Fitorja e një çmimi Oscar për aktrim, jo vetëm që i bën aktorët krenarë dhe të lumtur, por iu zgjat edhe jetën. Ky efekt i Çmimeve të Akademisë u zbulua nga Donald Redelmeier, një epidemiolog në Universitetin e Torontos në Kanada, i cili kontrolloi të dhënat demografike të 934 aktorëve që u nominuan për një Oscar aktrimi nga viti 1929 deri në vitin 2020, 340 prej të cilëve e morën këtë çmim.
Siç është raportuar në “PLoS One”, midis fituesve që tani kanë ndërruar jetë, mosha mesatare e vdekjes ishte 77.1 vjeç, ndërsa mosha mesatare e atyre që u nominuan, por nuk u shpërblyen, vdiqën 73.7 vjeç, praktikisht e njëjta moshë mesatare me kolegët, të cilët nuk u nominuan kurrë. Duke pasur parasysh se mosha mesatare e vdekjes në Shtetet e Bashkuara ka qenë rreth 73 vjeç për dekada, a mund të ketë statuja e artë fuqi magjike?
“Jo, nuk është kështu”, shpjegon Redelmeier. “Zgjatja e jetës së dikujt ndoshta varet nga reduktimi i stresit, i lidhur me arritjen e majës së karrierës dhe për këtë arsye nuk ka më nevojë të turret në atë botë hiper konkurruese. Praktikisht, është i njëjti efekt i vërejtur te fituesit e çmimit Nobel, të cilët jetojnë më gjatë se kolegët e tyre të pavlerësuar”.
Megjithatë, në rastin e çmimeve Oscar, mund të ketë edhe një efekt të dytë: fakti i të qenit gjithmonë në qendër të vëmendjes mund t’i shtyjë fituesit të reduktojnë teprimet për të shmangur dëmtimin e reputacionit të tyre.