Zëvendësministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Kosovës, Kreshnik Ahmeti akuzon Serbinë se është tërhequr nga Marrëveshja Bazë e Brukselit dhe aneksi i Ohrit. Sipas tij, pas letrës së kryeministres, Ana Bërnabiç në Bashkimin Evropian, Serbia praktikisht dhe formalisht tërhiqet nga ujdia. Në një intervistë për Kosova Press, Ahmeti thekson se tani është e nevojshme të dihet nëse tërhiqet letra ku theksohet se Serbia nuk do të zbatojë disa pjesë të marrëveshjes bazë dhe më pastaj të ketë nënshkrim dhe sekuencim të qartë e të balancuar të saj.
“Serbia është tërhequr nga marrëveshja ta kemi të qartë. Ngërçi është nga letra e 13 dhjetorit që e ka dërguar kryeministrja e Serbisë në BE, ku praktikisht dhe formalisht tërhiqet Serbia nga marrëveshja e27 shkurtit. Duhet të kemi të qartë a kemi marrëveshje? A tërhiqet ajo letër dhe të kemi përsëri marrëveshje. Duhet të kemi nënshkrim dhe sekeuncim të marrëveshjes. Pra, unë mendoj se pikëpamja juaj është më optimiste sesa realiteti, pasi realiteti është shumë i vështirë nga kjo qasje e Serbisë”, deklaroi Ahmeti. Ahmeti theksoi se nëse Serbia do të kishte qasje konstruktive, çështja e dinarit do të zgjidhej menjëherë, pasi do të mundësohej një formë e tranzicionit për mjetet e pagesës nga Serbia te qytetarët serbë të Kosovës.
“Unë besoj se po të ketë një qasje konstruktive nga Beogradi, kjo çështje zgjidhet menjëherë. Kur të them zgjidhet e them le të mundësohet një formë e tranzicionit, pasi rregullorja e BQK-së, është e qartë se është e panegociueshme, por po flasim për një fazë tranzitore. E rëndësishme është se dinari në Kosovë nuk mund të përdoret si mjet pagese”, vijon Ahmeti. Duke folur për sigurinë në veri, Ahmeti thekson se institucionet e vendit janë vigjilente, pasi mund të ketë rreziqe të tjera të cilat pasojnë sulmi terrorist në Banjskë.
“Ku shkojnë, çfarë ndodh me 600 milionë është e paqartë. Një gjë dihet se sulmet terroriste sikur ajo në Banjskë kërkojnë mjete monetare për të organizuar, furnizuar me armatim dhe mbajt ata njerëz. Mund të ketë rrezik të tillë po të vazhdohej ajo mënyrë e sjelljes së dinarëve kesh me thasë. Po ashtu mund të përdorej Kosova sikur është përdorur deri në të kaluarën si një vend ku bëhej një shpëlarje parash”, shton Ahmeti.
Në anën tjetër, Ahmeti është optimist se Kosova do të marrë dritën e gjelbër në Asamblenë Parlamentare dhe Komitetin e Ministrave për anëtarësim në Këshill të Evropës. Ai shton se letra e tre krerëve të shtetit drejtuar raportueses për Kosovën në KiE, është një procedurë e rregullt për anëtarësim dhe se zotimet që janë marrë përsipër janë përcaktuar si çështje që do të adresohen pas anëtarësimit në këtë institucion ndërkombëtar.
Sipas tij, në ato zotime nuk thuhet ekskluzivisht për themelimin e Asociacionit, por kërkohet zhvillim i prekshëm në zbatimin e marrëveshjes së Brukselit dhe të Ohrit.