Ambasada e SHBA-së në Tiranë vlerësoi sot kontributin e jashtëzakonshëm të grave gjyqtare në mbarë botën në Ditën Ndërkombëtare të Grave Gjyqtare.
Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Ambasada e SHBA-së në Tiranë thekson se “përkushtimi i tyre ndaj drejtësisë dhe barazisë na frymëzon të gjithëve”.
“Nga thyerja e barrierave deri te mbrojtja e drejtësisë, ne i shohim përpjekjet e tyre të palodhura dhe përkushtimin për drejtësi”, thuhet në reagimin e Ambasadës së SHBA-së.
Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara miratoi më 28 prill 2021, rezolutën në të cilën 10 Marsi shpallet Dita Ndërkombëtare e Grave Gjyqtare, me qëllim promovimin e pjesëmarrjes së plotë dhe të barabartë të grave në të gjitha nivelet e gjyqësorit.