Ambasadori i Ukrainës në Shqipëri, Volodymyr Shkurov ka konfirmuar se në Shqipëri janë trajnuar ushtarët ukrainas.

I ftuar në emisionin “Kjo Javë” në News24, ai nuk dha shumë detaje, po u shpreh se ky informacion është shumë i saktë, madje theksoi se për këtë ka një vlerësim të madh në Ukrainë.

Për këtë temë, u shpreh, ambasadori është diskutuar edhe gjatë vizitës se Presidentit Zelensky në Shqipëri.

Pyetje: Ka një kuriozitet, nuk e di nëse e keni si informacion. A janë trajnuar ushtarakë ukrainas në Shqipëri?

Volodymyr Shkurov: Keni një informacion shumë të saktë. Nuk mund të flas me detaje për këtë, por mund të them që është e saktë, e vërtetë dhe vlerësimi për këtë në Ukraine është shumë i lartë.

Përgjatë vizitës që u zhvillua kjo çështje u diskutua dhe u vlerësua me nota shumë të larta.

Ambasadori tregoi edhe përshtypjet e delegacionit të Kievit nga samiti i zhvilluar së fundmi në Tiranë.

Shkurov u shpreh se deklarata e përbashkët e samitit tregoi mbështetje për Ukrainën dhe se vendet e rajonit e kuptojnë situatën me të cilën po përballet Ukraina.

Ai zbuloi se Presidenti Volodymyr Zelensky u kthye në Ukrainë i kënaqur nga vizita dhe me përshtypjet më të mira për Shqipërinë dhe mikpritjen shqiptare.

Shkurov theksoi se kryesia e Shqipërisë në Këshillin e Sigurisë në OKB ka qenë shumë e suksesshme nëse merret në konsideratë konteksti se ku ndodhet Ukraina.

“Deklarata e përbashkët e samitit tregon mbështetjen për Ukrainën dhe se ato e kuptojnë situatën.

Presidenti Zelensky u kthye në Ukrainë i kënaqur nga vizita dhe me përshtypjet më të mira për Shqipërinë dhe mikpritjen shqiptare.

Në kuadër të vizitës ka qenë edhe takimi dy palësh dhe është nënshkruar edhe një traktat shumë i rëndësishëm për miqësinë dhe bashkëpunimin mes vendeve.

Kryesia e Shqipërisë në KS e OKB ka qenë shumë e suksesshme, nëse flasim për kontekstin ku ndodhet tani Ukraina.

Në këtë mënyrë Shqipëria tregoi partneritetin dhe mbështetjen e saj ndaj Ukrainës dhe popullit që po i reziston agresionit rus.

Përgjatë kësaj periudhe Shqipëria ka qenë bashkautore e shumicës së rezolutave që kanë të bëjnë me Ukrainën”, u shpreh Shkurov./Panorama