Ministri i Drejtësisë Ulsi Manja ka deklaruar se mazhoranca nuk është tërhequr nga Amnistia Penale. Manja sqaroi për mediat se asnjë person që është dënuar nga Gjykata Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar nuk do të përfitojë nga Amnistia.
“Tërë këto ditë për Amnistinë ka folur opozita dhe kur dëgjon vetëm njërën palë, të duket sikur u tërhoq mazhoranca nga Amnistia për veprat penale të korrupsionit të gjykuara nga GJKKO. Amnisti që s’do ketë jo e jo, por as ulje të dënimit për ata që janë dënuar për korrupsion dhe krim të organizuar nga GJKKO”,- tha Manja.
Deklarata ministri i bëri në përfundim të konferencës së Forcimi i Llogaridhënies dhe luftës kundër korrupsionit, nga ku vlerësoi punën e bërë nga drejtësia e re.
“Kjo reformë shënoi një moment kthese epokale për vendin tonë. Sot nuk flasim më për një reformë në fazat fillestare, por për një sistem që prodhon rezultate duke i dhënë fund gradualisht pandëshkueshmërisë në Shqipëri. Jemi veçanërisht krenarë që në Shqipëri po formësohet një reputacion i ri i institucioneve të sistemit të drejtësisë. Numri i gjyqtarëve dhe prokurorëve të larguar është provë e gjallë e një drejtësie që nuk mund të bënte drejtësi pasi ishte e kapur nga korrupsioni,”- tha Manja.
Në këtë konferencë morën pjesë ministrat e Drejtësisë së Ballkanit Perëndimor dhe Kroacisë, Drejtues të Agjencive të Antikorrupsionit, prokurorë dhe organizata ndërkombëtare.