Gjatë fushatës së anëtarësimeve të reja në Njësinë 9 në Tiranë, Drejtuesi Politik i PS për Qarkun, Erion Veliaj dhe deputetja e zonës, Ogerta Manastirliu, u bënë thirrje të rinjve që t’i bashkohen të vetmes parti që punon çdo ditë për të çuar vendin përpara. Veliaj nënvizoi se përtej numrave, një rëndësi të madhe ka edhe cilësia e anëtarëve të rinj.
“Më bëhet zemra mal kur lexoj CV-të e atyre që po anëtarësohen. Një nga gjërat që më pëlqeu më shumë është se pothuajse të gjithë Presidentët e gjimnazeve janë anëtarë të Partisë Socialiste. Pra, kush është i mirë, shkon te më të mirët! Sigurisht, partia është e hapur për të gjithë, por jam posaçërisht i lumtur kur shikoj se studentët e ekselencës janë të gjithë me ne”, u shpreh Veliaj.
Mandej, ai tha se është shumë e rëndësishme që anëtarët e rinj të dinë se Partia Socialiste është si një familje e madhe, që është e bashkuar prej pasionit. “Pyetja për të gjithë anëtarët e rinj e të vjetër është: Nëse dikush ju pyet në rrugë, edhe kur nuk e keni mendjen fare: ‘Po ti, pse je socialist?’ Është shumë e rëndësishme ta dimë pse. Ne nuk jemi socialistë se kemi inat të tjerët – për shembull, kur dëgjon palën tjetër, ata janë një organizatë e mbushur me urrejtje, pra ajo që i bashkon ata është se kanë inat dikë tjetër – ne jemi socialistë se ne e duam njëri-tjetrin, duam Partinë Socialiste, duam Tiranën, duam Shqipërinë. Kemi komplet tjetër energji sepse bashkohemi prej pasionit, jo prej inatit”, tha ai.
Deputetetja e PS, Ogerta Manastirliu vuri në dukje punët e mira që ka bërë kryebashkiaku Veliaj për Tiranën. “Dua ta falënderoj Erionin, për sa shumë transformime janë bërë në Njësinë 9. Po të diskutonim dhe të flisnim sot, ndoshta do na duheshin orë të tëra për të thënë se sa kopshte, çerdhe, shkolla janë ndërtuar, sa qendra shëndetësore janë rikonstruktuar, sa punë të mira për komunitetin janë bërë për infrastrukturën. Por, nuk do të ndalemi këtu sepse ne duam të vazhdojmë dhe të bëjmë edhe më shumë. Këtë do ta bëjmë të gjithë së bashku, duke mbështetur njëri-tjetrin, duke mbështetur lidershipin e Partisë Socialiste, duke mbështetur Partinë Socialiste, për të mbështetur shqiptarët dhe për të vijuar së bashku planin e madh të transformimit të vijueshëm drejt ‘Shqipërisë 2030’”, tha Manastirliu.