Ministri i Brendshëm Taulant Balla u shpreh se ka ardhur koha që të investohemi në burimet e duhura njerëzore, sa i përket shërbimit zjarrfikës për shkak të tipareve të veçanta që ka ky shërbim për sigurinë në vend.

Ai nënvizoi se duhet ndryshuar mënyra e përzgjedhjes të punonjësve të shërbimit zjarrfikës dhe shpëtimit.

“Kam besimin – tha Balla – se kryetarët e bashkive e kuptojnë që vendi i punës së punonjësit të zjarrfikësit nuk është një vend për të bërë qokë!”

Duke folur rreth procesit të vlerësimit dhe certifikimit të punonjësve të shërbimit zjarrfikës, ministri Balla the se “do të vazhdojmë të plotësojmë strukturat operacionale, me një proces ku kemi përfshirë dhe Akademinë e Sigurisë, në trajnimin, por dhe certifikimin e të gjitha niveleve në shërbimin zjarrfikës, ku marrja e gradës nuk mund të jetë më një vlerësim fiktiv, por duhet të jetë një vlerësim objektiv i performancës dhe natyrshëm i eksperiencës së fituar në këtë shërbim”.

Deklaratat, ministri i bëri gjatë ceremonisë së dorëzimit të disa mjeteve zjarrfikëse, dhuruar nga Qeveria Polake, për 3 bashkitë Lezhë, Fier e Pogradec.

Në kuadër të programit “Forcimi i kapaciteteve të Shërbimit të Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimit të Shqipërisë”, të financuar nga Qeveria e Polonisë, zbatuar nga Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP), në bashkëpunim me DPMZSh në Ministrinë e Brendshme, përfituan 10 bashki në të gjithë vendin.