Zëvendëskryeministrja, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku u shpreh sot në një intervistë televizive se, “vendimi për faturimin e energjisë për furrat e bukës të ndara në 3 kategori, në bazë të shërbimeve që ofrojnë, sjell barazi në treg”.

Në një intervistë televizive Balluku tha se, “kemi marrë një vendim të studiuar për të trajtuar furrat e bukës. Bëhet fjalë për një situatë që është e mbartur prej 15 vitesh. Që para 15 vitesh burrat e bukës janë përcaktuar që të trajtohen me një ëmim preferencial prej 7.6 lekë për kilovat orë. Por ndërkohë me gjithë zhvillimin ekonomik që ka ardhur, me dinamizmin e tregut, sot shumica prej tyre janë kthyer në njësi të integruara”.

Sipas saj, bëhet fjalë për 2600 subjekte që disa prej tyre vijojnë furra buke, disa janë kthyer furra buke dhe pastiçeri, dhe disa në furra buke, pastiçeri dhe bar-kafe. Për të mos penalizuar të gjithë grupit, pasi buka është produkt bazik kemi vendosur të mos prekin çmimin për furrat e bukës, Pra, të gjitha ato biznese që prodhojnë vetëm bukë nuk do të kenë ndryshim në çmim, do të faturohen 7.6 lekë për çdo kilovat-orë të shpenzuar. Ato që operojnë si pastiçeri do të paguajnë 9.5 lekë dhe ndërkohë për furrat e bukës që janë edhe pasticeri edhe kafe bar do të trajtohen me 12 lekë kilovat-orë.

“E gjithë kjo vjen pas një analize shumë të thellë. Furrat e bukës konsumojnë 66 milionë kilovat orë në vit, ose e përkthyer në faturim, rreth 500 milionë lekë. Nga ana tjetër, nuk e kemi bërë vetëm këtë proces. Falenderoj Shoqatën e Prodhimit të Brumit dhe Bukës, ata kanë qenë me ne gjatë gjithë procesit. Është një vendim i marrë me konsensus dhe do nisim nga implementimi”, tha Balluku, ndërsa shtoi se është vetë kjo shoqatë e cila kërkoi ndërhyrje për të rregulluar procesin.

“Është vetë Shoqata e Furrave të Bukës dhe Brumrave që na janë drejtuar për të rregulluar procesin. Ky proces duke nisur nga 15 vite më parë ka qenë i rregulluar me disa artifica që kanë rezultuar, jo të suksesshme. Një furrë që të ishte edhe pastiçeri, duhet të kishte 2 matës, gjë që në burim nuk ndahej siç duhej. U dha zgjidhje momentale për ndarje të NIPT-eve por edhe kjo nuk solli sukses. Dhe të gjitha këto artifica momentale kanë krijuar edhe një sërë abuzimesh për të cilat ne jemi vëmë në dijeni dhe morëm këtë masë. Nga ana tjetër këtu kemi edhe krijimin e një barazie në treg. Ne vitin 2024 e kemi nisur me një vrull të ri, dhe kemi tre komponentë shumë të rëndësishëm, që është ngritja e kapaciteteve njerëzore, shëndoshja financiare e kompanisë duke mos lënë debite të këqija dhe ulja e humbjeve teknike. Duam të kapim një target të ri, në shifrën 17.96. Të gjitha këto na kanë nxjerrë në një rezultat me zgjidhje afatgjatë dhe jo momentale”, tha Balluku.