Çmimi i energjisë për furrat e bukës do të vijojë të mbetet i pandryshuar, duke mos rritur kostot e këtyre subjekteve. Sistemi i ri i faturimit të energjisë elektrike për furrat e bukës, pas dakortësisë të arritur edhe me aktorët e sektorit, do të jetë i ndarë në tre grupe. Furrat e bukës, të cilat tregtojnë vetëm bukë, do të vijojnë të kenë çmimin e pandryshuar, 7.6 lekë për kilovatorë. Furrat e bukës, që krahas bukës tregtojnë edhe produkte pastiçeri, do të kenë një çmim prej 9.5 lekë për kilovatorë, ndërsa ato subjekte që krahas bukës tregtojnë edhe produkte pastiçeri si dhe funksionojnë edhe si bar- kafe do të kenë një çmim prej 14 lekësh për kilovatorë.

Zëvendëskryeministrja, njëherësh ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, së bashku me administratorin e OSHEE, Enea Karakaçi, përfaqësues të Shoqatës së Bukës, Pastiçerisë dhe Brumërave ishin në Lushnje, të shoqëruar edhe nga kryebashkiakja Eriselda Sefa, ku vizituan një prej furrave të bukës, me një eksperiencë të gjatë, që ushtron aktivitetin në këtë qytet.

Balluku bëri të ditur se vendimi për të vendosur një sistem të ri të faturimit të energjisë elektrike për furrat e bukës erdhi pas shqetësimeve të ngritura nga vetë shoqata, por edhe duke ju përgjigjur zhvillimit që ka pasur ky sektor ku shumë prej furrave të bukës kanë zgjeruar aktivitetin e tyre duke tregtuar edhe produkte të tjera.

“Vendosëm që të marrim disa masa përsa i përket furrave të bukës, duke ju ruajtur çmimin me 7.6 lekë për kilovatorë, aq sa e keni pasur, sepse u tha u rrit, por faktikisht nuk është rritur. Ndërkohë që kemi kategorizuar pastaj të gjitha ato furra buke që me kalimin e kohës janë kthyer dhe në pastiçeri, ato madje kanë dhe një ulje çmimi sepse deri dje kanë paguar 14 lekë, ato do të trajtohen me 9.5 lekë, pra më lart se ato që nuk kanë pastiçeri dhe ato që kanë bërë dhe pastiçeri dhe bar-kafe me 12 lekë”, tha Balluku.