Nga Hermes Kafexhiu 

Me siguri e keni vënë re që Gazment Bardhi përveç se ka dalë në krye të Rithemelit nga gjithë ajo armiqësi prej dy vitesh, Bardhi reagon çdo ditë për çdo situatë të mundshme politike duke na kujtuar se ndonjëherë mund të jetë një zëvendësues i denjë i avokatit Ngjela.

Përtej humorit ka një të vërtet, Bardhi del kudo në titra, kudo i zbardhur, kudo i komentuar duke ndjekur kazusin e të bërit lajm.

Ka shumë gjasë që gazetarët që takon në baret përballë parlamentit ta këshillojnë që ndoshta në këtë kohë ku ka vetëm kaos lajmesh, atij i duhet veç të dali përballë publikut si lajm.

Mirëpo kjo dalje e përhershme e bën publikun ta shoh atë si aktiv, por jo se çfarë realisht ai thotë.

Në rastin e fundit të mandatit të deputetes së Kuvendit të Shqipërisë Olta Xhaçka, Bardhi ka bërë një kërkesë zyrtare që ishte fund e krye për të bërë lajm dhe padyshim ndoshta nga më të dobtat nga ana ligjore.

Bardhi e di shumë mirë si jurist dhe aq më tepër si deputet se vendimi i Kushtetueses nuk e ka përcaktuar mënyrën sesi do të hiqet mandati i Olta Xhaçkës dhe aq më tepër të ishte në kompetencë të Konferencës së Kryetarëve, që fare mirë të gjithë e dinë se objektet që trajtohen në atë tryezë kanë të bëjnë vetëm mbi rendin e ditëve të vetë punëve të Kuvendit të cilat vinë të përcaktuara ligjërisht.

Përgjigjia e sotme, kinse ndaj Nikollës, e Bardhit për të bërë kakofoni politke është një vijim i të bërit lajm sërish, sikur gjasme Kuvendi po bën truk me mandatin e Xhaçkës.

Ndërkohë duam apo nuk duam ne dhe me ligjin e vjetër por edhe me të riun që nuk e pengon, Bardhi e di mirë që Kuvendi, i ka hequr mandatin Saimir Tahirit, Arben Ahmetaj, Leonard Kokës etj pa ndonjë hezitim nga pjesa ligjore.

Mos vallë vetë Bardhi është pjesë e një truku që i shërben ndoshta një çështjeje për palë të treta që luan këtë historinë e lajmeve ?
Me shumë gjasë Bardhi po i bën deklaratat sa për të larë gojën, se ndoshta veç një letër ndaj Kushtetueses mund ta zgjidhë fare mirë problemin e tij nëse Xhaçka duhet të lërë mandatin apo jo.

Tani e njëjta seri vijon të shtrohet, kë Bardhi të besojmë, Bardhin e klikimeve, Bardhin jurist apo Bardhin e pa zbardhur?