Nga Desada Metaj/

Ngazëllimi për çdo herë që ndodh një “bashkim” mes copëzave të opozitës i rrit dozën e trishtimit çdo mendjeje normale që mendon se ka kaluar koha e Edi Ramës në pushtet.

Në vitin tashmë të largët 2021, atëherë kur pretendohej se opozita ishte e gjitha bashkë dhe do ta mundte Ramën, një pjesë e shoqërisë, ajo që arrin të mendojë dhe perceptojë të vërtetën që fshihet pas paketimit të fushatave elektorale, ishte skeptike dhe nuk doli të votonte ndryshimin që donte.

Këtë ndryshim që e presin ende, alternativa e opozitës nuk ja ofronte, megjithë paketimin e sforcuar të bashkimit në emër të ndryshimit. Kjo, sepse fasha indiferente e qytetarëve që në vitin 2021 nuk votoi alternativën e opozitës, nuk mund të gënjehet me një bashkim për “bashkim”, ndërkohë që pret një alternativë bindëse, të sinqertë, dhe mbi të gjitha të moralshme, që Shqipërisë i mungon ende. Kjo ishte dhe vazhdon të mbetet sfida më e madhe e çdo force politike që kërkon të sfidojë qeverinë e Ramës.

Duke ndjekur me vëmendje rrjedhën që morën ngjarjet pas zgjedhjeve të vitit 2021, shpalljen non grata të Sali Berishës dhe copëzimin e mëtejshëm të PD, të gjithë grupimet që u krijuan me një kompleks që nuk mëtojnë as sot ta fshehin, flasin e bërtasin në emër të bashkimit të demokratëve. Që sipas tyre është dhe formula magjike e fitores ndaj Ramës.

Qëllimisht ose jo, eksponentët e të gjithë grupimeve opozitare i fshihen të vërtetës së madhe, asaj të mungesës së ofertës për ata qytetarë që nuk janë votues tradicionalë të PD-së, të kësaj fashe të votuesve që realisht janë çelsi i fitores ndaj Ramës.

Në vend të kësaj, si një turmë e çartur revolucionare pa ide dhe pa mendim, betejat e opozitës nisin në cepin e rrugicës së shpresës e përfundojnë në tymin parlamentar, që veç i prish grimin Elisës.

Pjesa më e madhe e deputetëve të listës së PD-së, ngecur mes zhurmnajës së organizuar dhe sponsorizuar nga non grata dhe një PD-je ngathalaqe me vulë, zgjodhën “bashkimin” me foltoren. Që trumbetuar si fitore nga tam tamet e foltores, duket sikur pak javë do na sjellin fitoren me Ramën.

Në fakt pak javë na ndajnë nga fillimi i vërtetë i fushatës elektorale për zgjedhjet e vitit 2025, në të cilat opozita shqiptare po shkon më kaotike, më e paorganizuar dhe më e përçarë se kurrë më parë.

Në më shumë se dy vjet, copëzat e PD-së u ndanë e u shanë, rrahën e u puthën kaq shumë në emër të opozitarizmit me Ramën, aq sa këtij të fundit nuk i duhet të përdorë më as batutat për t’i bërë më qesharakë.

Tani që koha për zgjedhjet e ardhshme po troket, copëzat e opozitës po i harrojnë shkopinjtë, gazin, sharjet dhe fyerjet e dy viteve e po shkojnë drejt “bashkimit” a thua se po shkojnë drejt fitores.

Ata që u shkarkuan para dy vitesh në një mbledhje në stadium si të emëruar të Lulzim Bashës, do të emërohen në të njëjtat poste, këtë herë nga Sali Berisha.

Ata që bënë betejë me berishizmin si e keqja që e la PD në opozitë, sot po e tundin si flamurin që do i çojë drejt fitores.

E vërtetë është që në emër të “bashkimit” do të marrin ca vota demokratësh. E ndoshta disa prej tyre do të jenë prapë deputetë.

Sikundër është e qartë që ca të tjerë do të mbeten pa punë e ndoshta do lexojnë gazetat në ndonjë televizion si Bashkimi më i famshëm në Shqipëri. E qartë është gjithashtu që asnjë bashkim copëzash nuk është shkopi magjik për t’i shndërruar në alternativë për qytetarët normalë, për ata shqiptarë që mendojnë me mendjen e tyre.

Sikundër është e sigurtë se Sali Berisha do t’i përdorë e do t’i flake, siç ka ndodhur këto 30 vitet e fundit. Duke i bërë Lulzim Bashës dhe shërbimin e fundit ndoshta. Duke i marrë hakun e duke u treguar të gjjthëve se për të nuk ka armiq të përjetshëm. Ka vetëm tradhtarë e besëprerë, që mund të kthehen veç si ushtarë të një ushtrie që qartas nuk do luftë, por ca beteja me qeverinë. Ku fitues del gjithmonë Rama, por dhe ushtria përballë nuk mbetet pa ndonjë leje ndërtimi apo investimi.

Opozita nuk mund të jetë si ato supermarketet që ndërrojnë etiketat e mallrave të skaduara për t’i nxjerrë prapë në shitje. Me këtë ofertë mund të gënjesh veç militantët, por ata që të çojnë drejt fitores kurrë.