Pas disa takimeve mes Ambasadorëve shqiptarë dhe drejtueseve të shkollave shqipe në Zvicër, sot në ambientet e Ambasadës së Kosovës në Bernë është firmosur marrëveshja për bashkim mes “Shkollës Shqipe” në Zvicër dhe Lidhjes së Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë “Naim Frashëri” në Zvicër.
Ambasada e Shqipërisë në Zvicër bën të ditur se ky hap i madh i cili vjen me iniciativë të Ambasadës së Republikës së Shqipërisë në Bernë ka në fokus ruajtjen, mbrojtjen dhe promovimin e gjuhës shqipe, duke nisur nga mësuesit dhe nxënësit shqiptarë në Konfederatën e Zvicrës, duke premtuar një të ardhme më të ndritur për brezat e rinj.
“Së bashku, do të ofrojmë një platformë më të gjerë arsimore, duke integruar stafet mësimore dhe rritur numrin e nxënësve dhe cilësinë e mësimit. Ky është një ogur i mirë, pasi ky vit është shpallur nga Ministria e Arsimit dhe Sportit të Republikës së Shqipërisë s “Viti i Gjuhës Shqipe” dhe Ambasada shpreson se që nga fillimi i vitit shkollor 2024/2025, të gjithë mësimdhënësit dhe nxënësit do të fillojnë një epokë të re për arsimin shqip në Zvicër”, thuhet në deklaratë.
Ambasada shton më tej se: “të mos harrojmë asnjëherë se, gjuha nuk është thjesht një mjet komunikimi por mbi të gjitha është një simbol i unitetit dhe fuqisë tonë ripërtëritëse si komb”.
Marrëveshjen për bashkim e kanë firmosur dy drejtuesit e shkollave shqipe Vaxhid Sjediu nga “Shkolla Shqipe” dhe Liburn Mehmetaj nga LAPSH në prani të Ambasadorit të Shqipërisë, Mustafa Nano, të KS-së, Ambasadorit të Kosovës, Sami Ukelli, të Maqedonisë së Veriut, Rexhep Demiri, Ministres së Arsimit të Kosovës, Arbërie Nagavci, përfaqësueseve të shkollave shqipe nga kantonet, si dhe mësueseve të shkollave shqipe.
Po ashtu në mbështetje të këtij bashkimi kanë firmosur dhe tre Ambasadorët.