Mes 100 vendeve nga e gjithë bota, Qyteti i Belshit ka fituar në panairin Ndërkombëtar të Turizmit në Berlin, çmimin e dytë si destinacioni i Turizmit të Gjelbër. Për këtë fitore, kryeministri Edi Rama ka vlerësuar kryebashkiakun Arif Tafani, dhe ekipin e bashkisë së Belshit si dhe sipërmarrësit që me investimet e tyre po tërheqin gjithnjë e më shumë turistë. Në statusin e tij, Rama falënderon kryebashkiakun dhe ekipin e tij, duke shtuar se Belshi nga ferrat e plehrat ka rilindur duke u kthyer në destinacion për turistët.

“Një super bravo kryetarit të bashkisë Arif Tafani, ekipit simpatik të Bashkisë Belsh, sipërmarrësve të vegjël të Belshit që me investimet e tyre në hoteleri e shërbime po tërheqin gjithnjë e më shumë turistë, si edhe komunitetit të mirë e mikpritës belshiot”, shkruan Rama.

Bashkia e Belshit shtrihet në zonën e Dumresë, në një zonë që shquhet nga numri i madh i liqeneve dhe me një peizazh tërheqës, ndërsa kohët e fundit po tërheq turistë të shumtë vendas dhe të huaj që vlerësojnë bukuritë natyrore dhe kulinarinë e zonës. Një ditë më parë në panairin më të madh të turizmit në botë “ITB- Berlin 2025”, Shqipëria u vlerësua edhe me titullin “Vendi i Nderit”, “pas një pune të gjatë dhe angazhimi serioz për të shkëlqyer në prezantimin e ofertës turistike në eventet e promovimit ndërkombëtar”, siç tha kryeministri Rama.