Ndonëse ende fati i vulës së PD është në dyert e gjykatave, Gazment Bardhi finalizon bashkimin me Rithemelimin të martën, kur Berisha nga arresti i shtëpisë do ta shpërblejë me postin e nënkryetarit. Bashkë me Bardhin, nënkryetar bëhet edhe Agron Gjekmarkaj për shkak të detyrës që mban si nënkryetar i Kuvendit të Shqipërisë.

Me këto ndryshime, që çojnë në 4 numrin e nënkryetarëve të Rithemelimit, aq sa ka aktualisht PD e Lulzim Bashës, ndryshon edhe kryesia e Rithemelimit, që për shkak të “paktit të bashkimit” fryhet me figura të grupit “Bardhi”.

Por cila pritet të jetë përbërja e re e Kryesisë së Sali Berishës?

Listës prej 37 emrash, do t’i bashkohen kryesia e grupit parlamentar (Nënkryetari i Grupit Ervin Salianji, kryetaret e Komisioneve Parlamentare të opozitës Jorida Tabaku e Zheni Gjergji, por edhe nënkryetarët e komisioneve, emra si Dhurata Çupi, Tomorr Alizoti apo Ferdinand Xhaferraj.

Futja e këtyre figurave, të rreshtuar rishtazi krah Berishës në kryesi, nuk do të bëhet me votim të Këshillit Kombëtar, ashtu sikurse statuti aktual i PD së Rithemelimit përcakton, se nënkryetarët votohen me votim të fshehtë, por përmes ndryshimeve statutore.

Këshilli Kombëtar që mblidhet të martën nuk do të votojë drejtpërdrejtë për emrat, por ndryshimet e statutit që çojnë automatikisht në kryesi grupin “Bardhi”.

Kështu, nenet që pritet të ndryshojnë në statutin e Rithemelimit janë ai 51, që përcaktohen se PD e Rithemelimit ka 2 nënkryetarë, një prej të cilëve është edhe kryetar i grupit parlamentar. Ndryshimi duhet të përcaktojë shtimin e dy nëkryetarëve. Ndryshim do të kenë edhe të gjithë nenet që përmendin togfjalëshin “dy nënkryetarë”.

Neni tjetër që ndryshon gjithashtu është edhe ai 47, për përbërjen e kryesisë, ku në pikën 1 të saj, do të futen si anëtarë kryesie edhe kryetarët e nënkryetarët e komisioneve.

Këto dy pika, do të çojnë grupin”Bardhi” pa patur nevojë për votim të fshehtë të Këshillit Kombëtar drejtpërdrejtë në kryesi.

Pikëpyetja është nëse Jorida Tabaku do të pranojë të jetë pjesë e kësaj kryesie, në kushtet kur ajo ende nuk është pozicionuar qartë në PD e Rithemelimit dhe sipas burimeve për Report Tv ajo nuk do të jetë pjesë e mbledhjes të martën.