Nesër besimtarët myslimanë në mbarë botën nisin muajin e shenjtë të Ramazanit. Gjatë këtij muajit të bekuar (30 ditë), besimtarët myslimanë mbajnë agjërim, një nga 5 kushtet e islamit.

Dita e parë e Ramazanit është më 11 mars, ku koha e syfyrit për vendin tonë përkon në orën 04:23, ndërsa iftari në orën 17:49. Dita e fundit e Ramazanit është më 9 prill, ndërkaq Fitër Bajrami festohet më 10 prill.

Kryetari i Komunitetit Mysliman Shqiptar, Bujar Spahiu ka ndarë një mesazh urimi për ditën më të rëndësishme të myslimanëve. Ai thotë se ky është muaji i solidaritetit dhe dhënies së lëmoshës, ndërsa nuk harron as luftën. Spahiu u shpreh se lutjet shkojnë që të arrihet sa më shpejt paqja në Ukrainë e në Rripin e Gazës.

“E lusim zotin që të na mundësojë që të dalim të falur në fund të këtij muaji, të na bëjë paqe e begati, që të arrihet sa më parë paqja mes palëve në Gaza, Ukrainë dhe në çdo vend ku ka konflikte dhe njerëzit që gjejnë qetësinë e merituar dhe të kalojnë një Ramazan të Begatë”, thotë Spahiu.

Një mesazh e patën edhe myftiu i Shkodrës dhe Korçës për besimtarët myslimanë, të cilët fokusin e vendosën edhe tek familjet në nevojë, të cilave duhet t’u qëndrojmë pranë sidomos në këto ditë.

“Të nderuar besimtarë, mos të harrojmë gjatë këtyre ditëve edhe ata të cilët kanë nevojë për ndihmën tonë. Në iftaret tona të përvitshme të mos mungojnë familjet në nevojë dhe shtrimi i iftareve për ta”, tha myftiu i Korçës Ledian Cikalleshi.

“Muaji i Ramazanit është muaji i begatisë, i mëshirës, i faljes, i pranimit të lutjeve, i pendimit të sinqertë, i vrapimit për të dhënë e për të marrë me njëri tjetrin, për të falë e për të mëshiruar, për të ndihmuar nevojtarët, për të shtrirë dorën e pajtimit me gjithë njerëzit”, tha Myftiut i Shkodrës, Imam Muhamed Sytari.