Kuvendi njoftoi se vendimi për miratimin e kërkesës së Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike për “deklarimin e pavlefshmërisë/anulimin e votimeve të kryera” u mor me konsensus dhe se të gjithë projektligjet e votuara në atë seancë do të hidhen për votim përsëri në seancën e radhës.
Saimir Korreshi, anëtar i opozitës në këtë sekretariat, tha pas mbledhjes se kjo ishte “një fitore e vogël e opozitës”, por ai shtoi se opozita do të verifikojë në vijim edhe votime të tjera që janë bërë gjatë periudhës që opozita ka qenë duke protestuar në Kuvend.
“Deputetët e mazhorancës të lënë qejfet e të vijnë të votojnë ligjet që kanë propozuar vetë,” komentoi ai duke iu referuar prezencës së vetëm 68 deputetëve socialistë në votimin e seancës së anuluar tashmë.
Në votim sipas rregullores së Kuvendit duhet të marrin pjesë shumica e deputetëve të Kuvendit, ose 70+1 deputetë.
Në këtë seancë, nënkryetarja e Kuvendit, Ermonela Felaj, injoroi kontestimin e deputetëve të opozitës për mungesën e koorumit në verifikimin e prezencës dhe hodhi në votim pesë projektligje, mes të cilëve edhe propozimin kontrovers për shtyrjen e afatit të ligjit për Investimet Strategjike deri më 31 dhjetor 2024. Të gjitha aktet u miratuan me 68 vota pro.
E kontaktuar nga BIRN, Felaj vijon t’i qëndrojë mendimit se votimi ishte i rregullt dhe se vendimi i Sekretariatit të Kuvendit për anulimin e tij është një “lëshim” për opozitën.
“Mesa duket vendimi eshte në frymën e tolerancës që i takon një mazhorance të tregojë dhe përtej rregullores,” tha Felaj, ndërsa shtoi se shpresonte që kjo të ishte arsyeja e përdorur nga Sekretariati pasi koorumi ishte lehtësisht i verifikueshëm me video.
Sipas saj, në koorum duhet të llogaritet dhe numri i deputetëve të opozitës që ishin prezentë në sallë, por nuk morën pjesë në votim. Felaj aludon se kërkesa për anulim lidhet me ligjin për investimet strategike.
“Qëllimi mesa duket është që të rikthehet për diskutim ligji për Investimet Strategjike,” shtoi Felaj.
Vendimi i së premtes shënon një precedent në punën e parlamentit, ndërsa mënyra se si verifikohet pjesëmarrja në procesin e votimit është e sanksionuar në Kushtetutë, në rregulloren e Kuvendit dhe në të paktën dy vendime të Gjykatës Kushtetuese, të cilët citoheshin në kërkesën e opozitës për anulimin e seancës.
“Për përcaktimin e kuorumit dhe të shumicës së deputetëve, sipas parashikimit të pikës 3 të këtij neni, Kryetari i Kuvendit i referohet vetëm numrit të deputetëve që kanë votuar,” thuhet në pikën 4 të nenit 55 të Rregullores së Kuvendit.
Me anë këtij procesi të kontestuar Kuvendi miratoi 5 projektligje, ndër to dhe propozimin për zgjatjen e efekteve të ligjit “Për investimet strategjike” deri më 31 dhjetor 2024, edhe pse ligji është kritikuar nga ekspertët se ka shërbyer për favorizuar një grup oligarkësh pranë qeverisë.
Projektligjet e tjera që u votuan në seancën e 7 marsit janë projektligji “Për burimet ujore”, ndryshimet në ligjin “Për Turizmin”, projektligji për Mbrojtjen e Konkurrencës si dhe disa ndryshime në ligjin “Për arsimin dhe formimin profesional”.