Zëvendëskryeministrja, njëkohësisht ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, inspektoi sot strukturat hoteliere në Vlorë, me qëllim sigurinë e pajisjeve nën presion dhe certifikimin e sistemit elektrik.

“Inspektorati Shtetëror Teknik dhe Industrial është duke inspektuar 650 njësi hotelerie për të pasur një pasqyrë të situatës sa i përket enëve nën presion si dhe instalimeve elektrike. E gjitha kjo vjen për shkak të kritereve të sigurisë, që duhen të kenë të gjitha hotelet në Republikën e Shqipërisë, duke pasur parasysh që do të jetë një sezon shumë i ngarkuar për të gjithë, edhe për hotelet, edhe për ne që menaxhojmë disa struktura administrative, pasi priten 14 milion vizitorë, duke nisur nga muaji prill”, u shpreh ministrja, duke i dhënë kështu përgjigje pyetjes se përse janë shtuar kontrollet në hotele së fundi.