Deputeti Erion Braçe tregoi në ‘Fronltine Interview’ përjetimet nga 21 janari, ku ai ishte në bulevard. Braçe tregoi se një miku i tij e mori në telefon dhe i tha se na vranë.
“Unë kam qenë përballë kryeministrisë. E kam mësuar në kohë reale vrasjen e protestuesve. Kam qenë me një grup burrash dhe djemsh nga Berati. Kishim ardhur 2000 njerëz nga Skrapari dhe Berati. Pa fund postblloqe rrugës . Edhe këtu në hyrje të Tiranës. Kemi hyrë ndër të fundit.
Dhe e kam marrë vesh kur një tjetër mik i imi më merr në telefon dhe më thotë na vranë. Ndërkohë që dëgjoheshin krisma. Kam qenë në vijë të drejtë me pemën ku u vra Hekuran Deda. Rrugës kur po vija gazetari i Top Channel, Marin Mema më thoshte të pres për intervistë pranë kryeministrisë.
Dhe në atë moment më merr në telefon miku im dhe më tha që vranë Sokratin. Kishte një plumb në kraharor. I jam shumë mirënjohë doktor Kapidanit në QSUT që u mor me të dhe i shpëtoi jetën. Dhe disa persona të tjerë që u morën me sigurinë e tij.
Jam qetësuar të nesërmen kur Sokrat Gode u nis për Berat. Është ngjarja më e rëndë e jetës sime. Jo thjesht në politik, por edhe më gjerë. Edhe jam pafund i interesuar që për këtë ngjarje të bëhet drejtësi sa më parë. Është ngjarje e ndryshme nga 26 maji i 96’, kur ishte akti ndaj meje.
Këtu kisha përgjegjësi ndaj 2000 njerëzve që kishin ardhur dhe kisha përgjegjësi t’i ktheja shëndosh e mirë. Dhe një javë më pas erdhën po aq në Bulevardin ‘Dëshmorët e Kombit’ ata të katër që u pushkatuan pa gjyq”, tha Braçe.